UBT News

FSK forcon bashkëpunimin rajonal në takim trilateral me Shqipërinë dhe Kroacinë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë, i mbajtur në Republikën e Shqipërisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në këtë takim, Gjeneral Jashari, Gjeneral Arben Kingji dhe Gjeneral Robert Hranj (Kundid) zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave respektive.

“Ky takim konfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon,” u theksua gjatë takimit, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit strategjik dhe avancimit të kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike.

Ndër të tjera, u potencua gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe përmes shkëmbimit të përvojave profesionale.

“Iniciativa trilaterale përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm,” u tha ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.

Takimi trilateral rikonfirmoi angazhimin e tre vendeve për të thelluar bashkëpunimin strategjik dhe për të kontribuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

 

Exit mobile version