UBT News

Foda pas eliminimit nga Turqia: Krenar me ‘Dardanët’, nuk e kam ndërmend të largohem

Pavarësisht një paraqitjeje dinjitoze dhe luftës deri në minutën e fundit, ëndrra e Kosovës për një kualifikim historik në Botëror u ndal në finalen e “play-off”-it përballë Turqisë. Pas ndeshjes, përzgjedhësi i “Dardanëve”, Franco Foda, u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, por jashtëzakonisht krenar me rritjen e skuadrës së tij.

“Sot jemi të gjithë të mërzitur. U munduam dhe deshëm që të kualifikoheshim në Botëror. Ishte e mundur ndaj Turqisë për 90 minuta dhe jam krenar me ekipin,” deklaroi tekniku gjerman, duke shtuar se lojtarët e kanë përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. Foda nuk la pa përmendur edhe përkrahjen e madhe nga tribuna, duke falënderuar tifozët që i qëndruan pranë ekipit si brenda, ashtu edhe në udhëtimet jashtë vendit.

Sa i përket të ardhmes së tij në krye të pankinës, Foda ishte i prerë: “Nuk e kam plan që ta lë Kosovën sepse më pëlqen vendi dhe populli. Ishim vetëm një lojë larg Botërorit dhe skuadra po zhvillohet mirë.”

Në anën tjetër, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, nuk i kursye lëvdatat për kundërshtarin, duke pranuar vështirësitë e mëdha që i shkaktuan “Dardanët”. “Kosova na vuri në shumë telashe. Është për të ardhur keq që vetëm një ekip mund të kualifikohet,” u shpreh italiani, duke theksuar se niveli i treguar nga Kosova konfirmon se ajo tashmë mund të rivalizojë me çdo ekip në skenën ndërkombëtare.

Exit mobile version