Real Madridi i dha fund serisë negative prej katër ndeshjeve pa fitore duke mposhtur Deportivo Alavesin me rezultatin 2-1 në xhiron e 33-të të La Ligës. Megjithatë, në vend të festës, atmosfera në “Santiago Bernabeu” ishte e tensionuar, me 61,000 spektatorë që shfaqën hapur pakënaqësinë e tyre.
Golat për “Mbretërit” u shënuan nga Kylian Mbappe në minutën e 30-të dhe Vinicius Junior në të 50-tën, ndërsa mysafirët ngushtuan epërsinë në minutat shtesë përmes Toni Martinez. Pavarësisht triumfit, vërshëllimat e tifozëve ishin konstante gjatë gjithë takimit, si pasojë e zhgënjimit të madh nga eliminimi i fundit në garat evropiane.
Caku kryesor i kritikave ishin dy yjet kryesorë, Mbappe dhe Vinicius. Ky i fundit, pas shënimit të golit të dytë, zgjodhi të mos festonte, por i kryqëzoi duart në shenjë faljeje drejt tribunave.
Situatën më të rëndë e përjetoi Eduardo Camavinga. Mesfushori francez, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në humbjen dramatike 4-3 ndaj Bayern Munich, u prit me fishkëllima të forta sapo hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 63-të. Reagimi negativ i turmës vazhdoi i tillë sa herë që ai kishte kontakt me topin.
Ky sukses në kampionat, ndonëse i rëndësishëm për pikët, tregon se hendeku mes lojtarëve dhe tifozërisë madrilene mbetet i thellë pas dështimeve të fundit në arenën ndërkombëtare.
