UBT News

Fillon pranimi i abstrakteve për Konferencën Ndërkombëtare për Infermieri dhe Shkencat Teknike Mjekësore në UBT

UBT ka filluar pranimin e abstrakteve për Konferencën Ndërkombëtare për Infermieri, Shkencat Teknike Mjekësore (Radiologji dhe Anesteziologji), e cila do të zhvillohet këtë vit në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.

Konferenca do të ketë si bosht kryesor temën “Qëndrueshmëria dhe Rezistenca në Shëndetësi”, duke sjellë në një forum të përbashkët studiues, praktikues dhe ekspertë të fushave mjekësore nga vendi dhe bota.

Ky aktivitet shkencor synon të nxisë shkëmbimin e dijes dhe përvojave mes akademikëve inovativë, studentëve të studimeve të avancuara, kandidatëve për doktoratë, studiuesve të rinj si dhe profesionistëve të industrisë. Përmes diskutimeve dhe prezantimeve shkencore, konferenca do të trajtojë tema të rëndësishme dhe aktuale për shëndetësinë moderne.

Fushat që do të mbulohen përfshijnë:

  • Kujdesin shëndetësor dhe sfidat e tij
  • Edukimin infermieror
  • Praktikën dhe kërkimin në infermieri
  • Neurologjinë
  • Dermatologjinë
  • Transplantimin e organeve
  • Radiologjinë
  • Kimine fizike dhe mjekësore
  • Mikrobiologjinë
  • Farmakologjinë
  • Pandeminë COVID-19 dhe mësimet e nxjerra

Një vend të veçantë këtë vit do të zënë Shkencat Teknike Mjekësore, me fokus në Radiologji dhe Anestezi, fusha që po njohin zhvillime të vrullshme dhe që po kontribuojnë fuqishëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor global.

Afatet e rëndësishme:

Dorëzimi i abstrakteve: deri më 10 tetor 2025

Njoftimi i pranimit: 17 tetor 2025

Regjistrimi i hershëm: 17 tetor 2025

Regjistrimi i vonshëm: 20 tetor 2025

Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025

Rishikimi shkencor (peer review): 17 tetor 2025

Punimet që do të prezantohen duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në proces shqyrtimi në ndonjë konferencë tjetër. Gjatësia maksimale e punimeve të pranuara është 6 faqe, ndërsa të gjitha udhëzimet e formatimit gjenden në faqen zyrtare të konferencës. Punimet që nuk përmbushin kriteret teknike nuk do të merren në shqyrtim.

Një platformë ndërkombëtare për bashkëpunim shkencor

Konferenca IC-MED është një ngjarje peer-reviewed, e cila garanton cilësi shkencore dhe ofron një platformë për botim dhe shpërndarje të kërkimeve të reja. Ajo do të shërbejë si një urë bashkëpunimi mes studiuesve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme të mjekësisë, duke kontribuar në ngritjen e standardeve akademike dhe praktike në shëndetësi.

Exit mobile version