Federata e Futbollit të Kosovës dhe përzgjedhësi Bernard Challandes kanë ndërprerë bashkëpunimin.
Challandes ka dhënë dorëheqje pas humbjes nga Gjeorgjia të martën mbrëma me rezultatin 2:1 në Prishtinë. Ai tha se ka kaluar kohë të mirë në Kosovë, e se ndjehet i mërzitur. Ai tha se qëllimi i vetëm ka qenë zhvillimi i sportit të Kosovë.
“Natyrisht se jam i pikëlluar për këtë vendim, pasi kam pasur një kohë të mirë këtu. Kemi pasur një qëllim që të vazhdojmë qëllimet tona që të ndërtojmë një ekip të konkurrues. Kisha kënaqësinë që kam punuar me këtë skuadër, por jam i pikëlluar që nuk do të jem. Jam shumë, shumë i kënaqur me mbështetjen nga federata me këtë staf që gjithmonë kanë qenë besnik dhe ishte, mund ta them qartë se në karrierën time si trajner, nuk kam pasur të tillë”, deklaroi ai.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka falënderuar Challandes për kontributin e dhënë për përfaqësuesen e Kosovës, por që siç thotë Ademi, ai gradualisht nuk i kanë përmbushur obligimet dhe objektivat.
“Ne duke pasur parasysh objektivat tona, dhe punën që e kemi bërë deri tash falënderojmë Challandes sepse me të e kemi filluar, por që gradualisht nuk i kemi përmbush obligimet apo objektivat tona dhe në mënyrë të përbashkët kemi vendosur me i ndërpre bashkëpunimin. Nga sot Challandes nuk do të jetë pjesë e jona”, deklaroi ai.
70-vjeçari ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.
Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.