Në një iniciativë të re që synon të bashkojë artin dhe kulturën përtej kufijve, “Theater Vortex” dhe “Festivali i Teatrove Ferizaj” do të organizojnë një punëtori njëjavore, e cila do të zhvillohet nga 15 deri më 22 mars 2025 në Shkup. Punëtoria e titulluar “Hijet e kohës: Arti Bashkon – Të shkrirë në kaosin e rrugëve dhe këndet e fshehura të qytetit” ka për qëllim të ofrojë një mundësi unike për artistët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova për të bashkëpunuar dhe krijuar një performancë të veçantë.
Ky projekt do të përfshijë një proces intensiv pune që synon të shprehë një përvojë teatrale të përshkruar përmes elementeve të forta të vallëzimit, duke e vendosur trupin dhe lëvizjen në qendër të performancës. Për këtë arsye, organizatorët rekomandojnë që pjesëmarrësit të kenë një përvojë të mëparshme me teatrin fizik, për t’u mundësuar atyre një angazhim më të thellë dhe më dinamik në procesin e krijimit.
Përmes këtij projekti, “Festivali i Teatrove Ferizaj” dhe “Theater Vortex” synojnë të promovojnë artin si një mjet të fuqishëm për lidhjen e njerëzve dhe komuniteteve, duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj kohëve dhe hapësirave që na rrethojnë, por gjithashtu duke e shkrirë atë me realitetin kaotik të qytetit dhe jetës urbane.
Thirrja për aplikime është e hapur deri më 20 shkurt 2025, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë janë të ftuar të aplikojnë përmes faqeve zyrtare të organizatorëve. Performanca përfundimtare e punëtorisë do të shfaqet si një bashkëpunim i gjallë dhe i fuqishëm që do të lë një shenjë të pashlyeshme në skenën e artit bashkëkohor të teatrove.