Pas më shumë se një vit i shtyrë nga pandemia Festivali i Filmit në Kanë ditën e nesërme do të hapë dyert për edicionin e 74-të.
Festivali i vitit të kaluar u shty, pastaj u anulua – në vend të kësaj “Palais des Festivals” që pret pjesën më të madhe të veprimtarisë dy javore rreth prodhimtarisë së filmave ishte e mbushur me shtretër spitalorë në muajt e parë të pandemisë teksa nga fillimi i këtij viti u kthye në qendër vaksinimi, shkruan AP.
Kanë do të jetë festivali i parë i madh i filmit që provon një edicion të plotë që nga fillimi i pandemisë teksa nga të pranishmit kërkohet që të jenë të vaksinuar kundër COVID-19 ose të kenë test negativ.
Kosova është pjesë e garës për “Palmën e Artë” në festivalin prestigjioz të Kanës me filmin “Pa Vend”.
Filmi “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda sjell rrëfimin e klubit të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’, duke sjellë ngjarjen në kontekstin e situatës aktuale.
“Pa vend” tregon përpjekjet e dy protagonistëve të udhëhequr nga trajneri i tyre që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë.
Kujtojmë se xhirimet e këtij filmi kanë filluar në muajin shtator të vitit të kaluar dhe është filmi i dytë nga Kosova që arriti këtë sukses.