Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Tortuës në Kosovë, Feride Rushiti, është nderuar nga UBT, me çmimin “Excellence Leadership Award”.
Çmimi është ndarë nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të UBT-së, dhe në kuadër të përmbylljes së vitit 2020. Ai tha se këtë çmim institucioni e jep për të nderuar personalitetet e ndryshme për kontributin e dhënë në sfera të ndryshme të jetës, sikurse Feride Rushiti.
Feridja theksoi se ajo u nderua me një çmim, i cili plotësisht i dedikohet viktimave të torturave e të dhunës seksuale, prandaj e falënderoi UBT-në për vlerësimin e dhënë.
“Është një ndjenjë e veçantë për faktin se në fushëveprimtarinë time kam marrë edhe mirënjohje tjera ndërkombëtare dhe kanë pasur rëndësinë e vet për ndërkombëtarizimin e çështjes dhe kauzës, në të cilën unë kam punuar ndër vite, por ju kur e merrni një mirënjohje nga një universitet i njohur siç është UBT, mendoj që ka një vlerë të veçantë për mua personalisht, por jo vetëm për mua, por edhe për 33 anëtarë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, si dhe për qindra gra, vajza dhe burra të cilët e ndajnë rrëfimin e trishtë të luftës në organizatë, aty ku ne mundohemi t’ia zbutim dhimbjet dhe plagët e luftës. Ndihem e nderuar që jam pjesë e vlerësimit të një universiteti kredibil, i cili gjeneron dije, brymosë të rinj, të cilët në të ardhmen do të kenë mundësi t’iu qasen edhe kësaj kategorie”, vlerësoi Feride Rushiti.
Feride Rushiti është drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe është një nga aktivistet pioniere e të drejtave të njeriut në Kosovë. Rushiti në mesin e dhjetë grave nga gjithë bota, ka marrë edhe çmimin prestigjioz Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme.
Ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1997. Gjatë luftës të Kosovës 1998-99, Feride Rushiti filloi të punojë në një nga kampet e refugjatëve në Shqipëri, ku po ndihmonte shpërndarjen e ilaçeve për njerëzit e Kosovës që ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin në atë kohë me bazë në kampet e refugjatëve në Shqipëri.
Si pasojë e luftës së vitit 1998-1999, Rushiti mobilizoi një ekip prej 45 profesionistësh shëndetësorë nga Kosova, për të sapo kthyerit e pasluftës dhe të mbijetuarit e torturës.
Pas më shumë se një dekade të lobimit nga aktivistët e grave, përfshirë Feride Rushitin, të mbijetuarit kanë të drejtë për kompensim si viktima të luftës. Ata filluan të regjistroheshin në shkurt të vitit 2018.