Federata e Basketbollit të Kosovës dhe klubi i basketbollit Sigal Prishtina kanë nënshkruar marrëveshje për zhvillimin e Superkupës së Kosovës në Prishtinë.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet kryetarit të FBK-së Arben Fetahu dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci.
Fetahu tha me këtë rast se organizimi i një eventi kaq madhor në Prishtinë e bën shumë të lumtur dhe se spektaklin e kësaj gare do ta pasurojë kësaj radhe edhe prania e tifozëve në salla.
Ai tha se ka besim të plotë që Prishtina do të di ta bëjë organizimin e kësaj gare ashtu siç e meriton dhe se klubi nga kryeqyteti e ka dëshmuar këtë edhe në të kaluarën.
Ndërsa Stavileci theksoi se Sigal Prishtina me gjithë ekipin organizativ tashmë po i bëjnë të gjitha përgatitjet për këtë organizim dhe siguroi se do të bëhet një garë që do ta bëjë krenar të gjithë Kosovën.
Ndeshjet e Superkupës do të zhvillohen nga 7 deri më 11 dhjetor 2022 në kryeqytet. Në këtë garë do të marrin pjesë tetë ekipet e Superligës së Kosovës.