UBT News

Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit

Aktorja kosovare, njëherit profesoresha në Programin e Arteve Dramatike në UBT, Fatlume Bunjaku ka arritur një tjetër sukses në karrierën e saj artistike, duke u bërë zyrtarisht anëtare e European Film Academy (Akademisë Evropiane të Filmit).

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe mesazhin e mirëseardhjes nga Akademia Evropiane e Filmit.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit si anëtare e re. Me mirënjohje ndaj presidentes Juliette Binoche dhe Akademisë Evropiane të Filmit për ftesën dhe pritjen e ngrohtë. Faleminderit!”, ka shkruar Bunjaku.

Në mesazhin e publikuar nga European Film Academy shkruhej:

“Mirëpresim me krenari Fatlume Bunjakun si anëtare të re të Akademisë. Urime!”

Ky anëtarësim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për aktoren kosovare dhe një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional në kinematografinë evropiane.

European Film Academy është një organizatë e themeluar për të promovuar dhe mbështetur kinemanë evropiane. Çdo vit, ajo fton anëtarë të rinj nga industria e filmit regjisorë, aktorë, skenaristë dhe profesionistë të tjerë bazuar në kontributin e tyre artistik dhe profesional. Anëtarësimi bëhet vetëm me ftesë dhe synon të përfshijë zëra të rëndësishëm nga e gjithë Evropa në komunitetin e saj artistik.

Bunjakut këtë vit është përzgjedhur si përfaqësuesja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në listën e re të anëtarëve të Akademisë, duke e konsideruar këtë një moment të veçantë për karrierën e saj dhe për kinemanë shqiptare në përgjithësi.

Exit mobile version