Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse Kosova ende mund ta ruajë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, në një kohë kur shqetësimet për vonesat në përgatitje dhe përmbushjen e obligimeve po shtohen. Në një përgjigje të shkurtër dërguar të enjten në mbrëmje për KosovaPress-in, Sekretariati i ICMG-së ka shmangur sqarimet se a është ende e mundur realizimi i zotimeve apo nëse procesi ka kaluar pikën e kthimit, duke e orientuar median që për informata të mëtejshme t’i drejtohet Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG).
Kjo paqartësi ndërkombëtare vjen paralelisht me një përplasje të hapur institucionale brenda vendit, ku faji për rrezikimin e kësaj ngjarjeje sportive po hidhet nga njëri institucion te tjetri. Një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se mungesa e unitetit të brendshëm po e rrezikon organizimin e Lojërave, duke e vlerësuar si të mirë bashkëpunimin me Komitetin Olimpik të Kosovës, por duke kritikuar raportet me Komunën e Prishtinës, teksa shtoi se mbetet optimist i përmbajtur se procesi do të çohet përpara pa korrupsion.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi ashpër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia atribuoi Qeverisë përgjegjësinë e plotë për dështimin dhe anulimin e takimit të paraparë me përfaqësuesit e ICMG-së në Athinë. Përmes një reagimi publik, Rama theksoi se komunikimi i fundit i ICMG-së konfirmon se takimi është anuluar për tri arsye që binin mbi ekzekutivin: moskryerja e pagesës, mosdërgimi i emrave të delegacionit dhe mungesa e përgjigjeve në postat elektronike.
Këto akuza të ndërsjella pasojnë paralajmërimet serioze që ICMG-ja i kishte dërguar palës kosovare në letrën e 15 tetorit, ku evidentoheshin rreziqet nga mungesa e garancisë bankare ose të sigurimit, pagesat e papërfunduara dhe moskthimi i përgjigjeve. Të gjitha këto zhvillime pritet të marrin një drejtim më të qartë më 19 dhjetor, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do të shqyrtojë gjendjen aktuale dhe propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për fatin e “Prishtina 2030”, ngjarje kjo e fituar nga Kosova në shtator të vitit 2023 dhe e paraparë të mbahet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 në disa komuna të Kosovës dhe në Durrës. /Kosova Press/
