Nuk mjafton të jesh grupi më i njohur në botë, të paktën në kategorinë “Boy Band”, të dominosh renditjet ndërkombëtare falë 44 milionë ndjekësve në Twitter dhe pothuajse 62 milionëve në Instagram.
Nuk vlen, kur je koreano-jugor dhe pak kilometra nga kryeqyteti yt dikush kërcënon me raketa bërthamore. Kjo do të thotë që me shumë gjasa edhe grupi BTS, mbretërit e K-pop, do të duhet të mbrojnë atdheun duke pranuar ftesën e ushtrisë, siç mund t’i ndodhë edhe 550 mijë të rinjve të tjerë pas një vendimi emergjent të Seulit.
Hedhja drejt ujërave ndërkombëtare e një rakete nga regjimi verior i Penianit ka përshpejtuar procesin. Fillimisht raketa mendohej se ishte ai Hwasong-17 që mund të arrijë teorikisht edhe brigjet amerikane.
Por edhe pse në fakt një raketë e tillë mund të mos jetë aktive por propagandë e diktatorit Kim Jon Un, dhe raketa e hedhur me shumë gjasa mund të jetë një model Hwasong-15, padyshim më pak i fuqishëm, Seuli ka frikë se Kim Jon Un mund të përfitoi nga përqendrimi i vëmendjes botërore në skenarin ukrainas për të goditur papritur “simotrën” e saj.
Seuli ka më shumë se 3 milionë rezervistë, por me sa duket nuk i mjafton dhe ka deklaruar se do të kërkojë regjistrimin në ushtri të gjithë të rinjve mes 18 dhe 28 vjeç për të paktën 18 muaj.
Në 2020, grupi muzikor i përbërë nga Jin, Suga, J-Hope, RM, Jimin, V, and Jungkook, emrat e artit me të cilët njihen këto djem që janë idhuj të vërtetë në vendlindje por jo vetëm, kishte përfituar nga ligj i miratuar enkas për to, që i lejonte të shtynin pranimin e ftesës në ushtri deri në moshën 30 vjeçare, për të mos dëmtuar karrierën në ngjitje.
Pra vitet kalojnë, ashtu siç rritet perceptimi i rrezikut. Edhe pse fytyrat e tyre pothuajse fëminore vështirë se mund të përbëjnë ndonjë rrezik për Penianin, një nga anëtaret e bandës, Jin, do të mbushë 30 vjeç, duke e bërë automatike veshjen e uniformës, dhe ndoshta shpërbërjen e grupit. “Gjeneratat e reja duhet të mbrojnë atdheun dhe grupi BTS shihet si model për shumë të rinj korean, kështu që mendoj dhe shpresoj që do ta presin me entuziazëm thirrjen”, deklaroi mbi këtë çështje ambasadori korean në Londër, Gunn Kim.