Seriali humoristik “Familja moderne”, një ndër prodhimet më të ndjekura të publikut në Kosovë, rikthehet në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) me cilësi të lartë të figurës, në formatin HD. Njoftimi u dha nga televizioni publik përmes rrjeteve sociale, duke ftuar shikuesit të rijetojnë momentet komike që kanë shoqëruar breza të tërë.
Për vite me radhë, seriali mblodhi familjet para ekranit me batutat, personazhet e veçantë dhe situatat e përditshme që mbeten të paharrueshme në historinë televizive vendore. Rikthimi i tij pritet të sjellë nostalgji për shikuesit e hershëm, por edhe t’u japë mundësi brezave të rinj ta zbulojnë për herë të parë.
“Ju mungonte? Edhe neve. ‘Familja moderne’ kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e RTK-së. Sipas televizionit publik, transmetimi do të nisë çdo të diel nga ora 20:05. /E.A/
