UBT News

Fakulteti Juridik i UBT-së përmbyll Akademinë Verore me diskutime mbi të drejtën dhe Inteligjencën Artificiale

Pas një jave intensive me ligjërata, diskutime akademike dhe aktivitete profesionale të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT u përmbyll me një vizitë studimore në kompaninë mediale Infokus.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillojnë një bashkëbisedim me gazetaret Era Berisha, Hateme Smajli dhe Arjeta Osmani, ku u diskutua mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gazetari dhe media. Diskutimi u fokusua në mundësitë që Inteligjenca Artificiale ofron për punën e gazetarëve, por edhe në sfidat që ajo sjell për profesionin. Tematika si përgjegjësia profesionale e gazetarëve, paditë SLAPP, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut u trajtuan në një debat të hapur, interaktiv dhe mjaft frytdhënës.

Një ditë më parë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore ndoqën dy ligjërata me tema aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimet juridike bashkëkohore. Prof. Jorida Xhafaj ligjëroi mbi temën “Inteligjenca Artificiale, etika dhe privatësia: A mund ta ndjekë ligji zhvillimin e Inteligjencës Artificiale?”, ndërsa Prof. Elton Tota trajtoi temën “Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në vendimmarrje, demokraci dhe lidership”.

Përmes këtij programi, Akademia Verore e Fakultetit Juridik u ofroi studentëve një platformë të vlefshme për të thelluar njohuritë mbi sfidat juridike, etike dhe shoqërore që shoqërojnë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me akademikë e profesionistë të fushës, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhin teorinë me praktikën dhe të zhvillojnë një perspektivë më të gjerë mbi çështjet bashkëkohore të së drejtës dhe teknologjisë.

Exit mobile version