Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT ka hapur punimet e Akademisë Verore, me temën “Shkenca moderne, inovacioni dhe praktika klinike në funksion të së ardhmes së shëndetësisë”.

Në hapje të këtij aktiviteti, dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Fisnik Laha, theksoi se e ardhmja e shëndetësisë nuk ndërtohet vetëm duke mësuar atë që tashmë dihet, por duke krijuar hapësirë që studentët, studiuesit dhe profesionistët të sfidojnë kufijtë e dijes. Ai shtoi se UBT po ndërton pikërisht urën që lidh shkencën moderne me diagnostikën, praktikën laboratorike dhe nevojat reale të pacientëve.
Ky aktivitet katërditor përfaqëson një platformë të integruar akademike dhe profesionale, e cila bashkon ekspertizën klinike, kërkimin shkencor, teknologjitë e reja, inteligjencën artificiale, gjenetikën molekulare dhe praktikën intensive laboratorike. Programi është konceptuar në mënyrë që pjesëmarrësit të kalojnë nga bazat e diagnostikës dhe analiza e rasteve klinike, drejt biologjisë së së ardhmes, teknologjive inovative dhe zbatimit praktik të njohurive në avancimet më të fundit shkencore.
Programi katërditor përfshin tema që shtrihen nga biokimia e organizmave me bazë silikoni dhe sistemet alternative biologjike, deri te përdorimi i modeleve të mësimit të thellë (deep learning) për parashikimin e gjenomeve minimale, ndikimi i ndotjes së ajrit në parametrat fiziologjikë, si dhe editimi i gjeneve dhe aplikimet e tij në mjekësinë moderne.
Shkolla Verore e këtij viti ka bërë bashkë profesorë dhe studiues të UBT-së, profesionistë nga klinikat publike të QKUK-së, ekspertë të biokimisë, neonatologjisë, ekologjisë dhe biologjisë molekulare, si dhe ligjërues e hulumtues të njohur ndërkombëtarë, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet akademisë dhe praktikës profesionale.
Përmes një programi që ndërthur shkencën, praktikën klinike, teknologjinë, laboratorin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT konfirmon edhe një herë përkushtimin e tij për ofrimin e arsimit bashkëkohor, zhvillimin e kërkimit shkencor me ndikim dhe përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes së shëndetësisë.
