Nata e gjashtë e festivalit “Etno Fest” në fshatin Kukaj u karakterizua nga një gërshtim i traditës autoktone, muzikës klasike dhe artit skenik, duke mbledhur artistë e dashamirës të kulturës nga treva të ndryshme.
Sipari i mbrëmjes u hap me performancën e Etno Ansamblit “Vullkani i Istogut”, i cili solli në skenë këngë, valle dhe motive tradicionale të trevës së Istogut.
Programi vazhdoi me një koncert artistik të interpretuar nga Blerim Grubi, Nita Grubi dhe Arjana Kuriu Grubi, të cilët sollën një frymë me finesë muzikore për pranishmit.
Ngjarja qendrore e mbrëmjes ishte shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji të Ilir Bokshit, e realizuar nga trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Shfaqja trajtoi tema komplekse njerëzore, me fokus te dhuna familjare dhe përjetimet e pathëna.
Aktivitetet e ditës së gjashtë u përmbyllën në orët e vona me “Etno Nejën”, ku grupi “Melodia e Vjetër” interpretoi pjesë nga repertori i traditës muzikore e shpirtërore. /E.A/

