Fitorja historike e liderit opozitar Peter Magyar në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Hungari po shihet si një pikë kthese për vendin, me pritje për rindërtimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropina dhe një qasje më të kujdesshme ndaj Rusisë.
Udhëheqësi i partisë Tisza, Magyar, ka arritur të fitojë shumicën e votave, duke mposhtur kryeministrin aktual Viktor Orbán, i cili e ka uruar për fitoren pas publikimit të rezultateve.
Orbán, që udhëhoqi Hungarinë për 16 vjet dhe kërkonte mandatin e gjashtë radhazi në zgjedhjet e 12 prillit, e pranoi humbjen në një prononcim për media, duke e cilësuar rezultatin si “të qartë” dhe “të dhimbshëm” për partinë e tij. Ai u zotua se do të vazhdojë t’i shërbejë vendit nga opozita.
Nga ana tjetër, Magyar falënderoi qytetarët hungarezë për besimin e dhënë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë rezultat si një moment të ri për të ardhmen e vendit.
Analistët vlerësojnë se kjo fitore mund të shënojë ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme të Hungarisë, sidomos në raport me Bashkimin Evropian dhe qëndrimin ndaj Rusisë.
