Anësori brazilian Estevao Willian po përballet me një situatë të vështirë te Chelsea dhe, nëse minutat e tij në fushë nuk rriten, 19-vjeçari mund të marrë në konsideratë një largim në afatin kalimtar të janarit.
Braziliani ndihet mirë në Londër, por deri tani ka luajtur vetëm 87 minuta zyrtare këtë sezon. Kjo ka ngjallur shqetësime te lojtari, i cili druhet se mund të humbasë hapësirën në një skuadër me shumë alternativa në repartin ofensiv.
Situata është krejt ndryshe nga sezoni i kaluar, kur Estevao la përshtypje të mira në vitin e tij të parë në Angli. Ai e mbylli sezonin 2025/26 me 8 gola dhe 4 asistime në 36 paraqitje në të gjitha garat.
Në fillim të këtij sezoni, Estevao u aktivizua vetëm për tetë minuta në ndeshjen hapëse të Premier League ndaj Fulhamit. Më pas, ai luajti 79 minuta në fitoren 2-0 ndaj Luton Town në Carabao Cup. Në ndeshjen e radhës ndaj Brightonit, Xabi Alonso e la në bankën rezervë dhe nuk e aktivizoi fare.
Konkurrenca për një vend në formacion është e fortë. Estevao preferon të luajë në role më qendrore, ku përballet me konkurrencën e Cole Palmer dhe Morgan Rogers, ndërsa në krahun e djathtë konkurron me Pedro Neto.
Sipas ESPN Brazil, lojtari është i shqetësuar për minutazhin, por nuk ka bërë kërkesë zyrtare për largim. Prioriteti i tij mbetet të ketë sukses te Chelsea, megjithatë situata mund të ndryshojë në janar nëse minutat vazhdojnë të jenë të kufizuara.
Chelsea, ndërkohë, ka kontroll të plotë mbi të ardhmen e tij. Estevao u transferua nga Palmeiras në korrik 2025 për rreth 45 milionë euro dhe ka kontratë me klubin londinez deri në vitin 2033.
Vlera e tij në treg vlerësohet aktualisht rreth 80 milionë euro, ndërsa Chelsea nuk pritet ta lejojë largimin e tij pa një ofertë të konsiderueshme.
D.L
