Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike, pasi Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”.
Kazia është shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në zhvillimin e sigurisë kibernetike në nivel ndërkombëtar.
Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtajn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.
Pas marrjes së çmimit, Kazia në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.
“Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e teknologjisë, por me mbrojtjen e besimit”, u shpreh ajo.
Gjatë këtij edicioni janë zhvilluar edhe diskutime për mundësinë që ceremonia “Cybersecurity Woman of the World 2027” të organizohet në Shqipëri. Nëse realizohet, vendi pritet të mirëpresë ekspertë, institucione dhe përfaqësues ndërkombëtarë të fushës së sigurisë kibernetike.
Duke komentuar vlerësimin, Kazia tha se ky titull përfaqëson një përgjegjësi për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.
Esmeralda Kazia aktualisht është Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë për Teknologjinë Operacionale, Sistemet e Kontrollit Industrial dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më herët ajo ka udhëhequr operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare si NATO, OSBE dhe iniciativa globale kundër sulmeve kibernetike. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare dhe kërkuese shkencore, me fokus në inteligjencën artificiale dhe ekosistemet digjitale./Albinfo.ch//A.K/
