UBT News

Ermal Krasniqi kërkon falje pas eliminimit të Ballkanit nga Liga e Kampionëve

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani, është eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 2-1 nga Zalgirisi.

Skuadra nga Suhareka barazoi 1-1 në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” dhe në sfidën kthyese u mposhtën me rezultat 1-0 pas vazhdimeve.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar javën e kaluar në Prishtinë, skuadra e trajnerit Ilir Daja pati shumë raste për të shënuar më tepër gola, por ato nuk u konkretizuan dhe njëri nga lojtarët që humbi më shumë mundësi, ishte sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi.

Pikërisht për këto lëshime, Krasniqi ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, në të cilin ka thënë se është shumë i zhgënjyer dhe i vetëdijshëm për rastet e humbura, por ka shtuar se do të vazhdojë të jap maksimumin ne ndeshjet e ardhshme.

Ja postimi i plotë i Krasniqi:

Të dashur qytetarë të Suharekës, tifozë të Fc Ballkanit dhe ju futbolldashës të Kosovës.

Zhgënjimi nga mossuksesi nga rrethi i parë eliminues i Champions League kundër ekipit Zalgiris është shumë i madh si nga ekipa në tërësi ashtu edhe ne aspektin personal.

Unë në veçanti duke i ditur pritshmëritë tuaja që keni pasur ndaj ekipit e ndaj meje duke u bazuar në një sezon qe posa mbaruam me suksese duke u shpallur kampion për herë të parë në histori të klubit, ndjej përgjegjësi të konsiderueshme për këtë eliminim duke i marr për bazë rastet që më janë shfaqur gjate ndeshjes e që për fat të keq nuk arrita t’i konkretizoja pavarësisht qe askush nuk do të donte më shumë se unë.

Udhëtimi ynë vazhdon në Evropë dhe ju premtoj që sukseset për ne nuk mbarojnë këtu, do të vazhdojmë më të uritur e më të motivuar që të përfundojmë këtë kampanjë evropiane me sukses historik në fund. Ju dua e përsëri ju kërkoj falje përzemërsisht.

Aventurën evropiane Ballkani do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës.

Exit mobile version