UBT News

Enzo Maresca trajner i ri i Chelseat

Chelsea ka njoftuar emërimin e Enzo Maresca si trajner të ri. 44-vjeçari italian vjen nga Leicester City për të zëvendësuar Mauricio Pochettino, i cili u largua nga Chelsea me pëlqim të përbashkët në fund të këtij sezoni. Maresca ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, me opsion edhe një vit shtesë.

Mungonte vetëm zyrtarizimi, i cili ka ardhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës. Enzo Maresca do të jetë trajneri i Chelseat për 5 sezonet e ardhshme. Tekniku italian, i cili sezonin e kaluar drejtoi Leicesterin në Premiership, duke e rikthyer menjëherë në elitën e futbollit anglez, ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin londinez.

Marrëveshja mes palëve ishte arritur prej ditësh, teksa zyrtarizimi erdhi vetëm këtë të hënë, me Marescën që ka marrë përsipër një projekt afatgjatë, duke firmosur deri në 2029-ën, me opsion zgjatjeje edhe për një tjetër sezon.

Italiani, i cili në të shkuarën ka qenë edhe asistent i Pep Guardiolës, do të nisë menjëherë nga puna te londinezët, për të bërë zgjedhjet në merkato dhe më pas në fushë, për të rikthyer skuadrën te sukseset.

Chelsea investoi jo pak verën e kaluar, duke sjellë një numër të konsiderueshëm futbollistësh të rinj të talentuar në ekip, teksa paratë nuk do të mungojnë as këtë verë, për të kënaqur dëshirat e Marescës dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese./UBTNews/

Exit mobile version