Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u zhvillua një ligjëratë e veçantë tematike nga eksperti ndërkombëtar në fushën e harduerit open source, Jo Hinchliffe, në kuadër të aktiviteteve para konferencës Software Freedom Kosova (SFK).

Ligjërata u organizua në bashkëpunim me FLOSSK dhe tërhoqi studentë, profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë nga fusha e inxhinierisë dhe harduerit inovativ.
Jo Hinchliffe, i njohur për projektet e tij kreative dhe pasionin që përcjell tek audienca, ka kontribuar rregullisht në Raspberry Pi Magazine, ndërsa gjatë karrierës së tij ka punuar në projekte të ndryshme të harduerit, përfshirë ndërtimin e raketave dhe zhvillimin e sistemeve inovative harduerike.
Në kuadër të ligjëratës me temën “Certifikimi i një projekti harduerik open source”, Jo Hinchliffe demonstronte dizajnimin e një komponenti në KiCad dhe shpjegonte procesin e aplikimit për certifikim të një projekti open source. Studentët u njohën me standardet ndërkombëtare të dizajnimit dhe certifikimit të projekteve harduerike open source, duke marrë këshilla praktike për zhvillimin e projekteve të tyre inovative.
Ky aktivitet ishte veçanërisht i përshtatshëm për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekatronike dhe fushave të ngjashme, të cilët shprehën interes të madh për zhvillimin e sistemeve harduerike dhe teknologjive moderne. Pjesëmarrësit vlerësuan mundësinë e jashtëzakonshme për të mësuar direkt nga një ekspert ndërkombëtar dhe për të marrë njohuri të vlefshme mbi praktikat më të mira në fushën e harduerit open source.
