Në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Prizren Fest”, adhuruesit e artit skenik do të kenë mundësinë të ndjekin një shfaqje të veçantë të baletit klasik. Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Teatrin mbi Lum “Banka Ekonomike”.
Shfaqja vjen si produksion i “ANGELS Ballet School” nga Prishtina, në bashkëpunim me “Prizren Fest”. Një nga kryeveprat më të njohura të baletit klasik do të interpretohet nga talentet e reja të kësaj shkolle, krah për krah me solistë profesionistë ndërkombëtarë.
Përmes muzikës së pavdekshme të Tchaikovsky-t dhe lëvizjeve skenike, publiku do të përjetojë një histori magjike dedikuar dashurisë, besnikërisë dhe sakrificës.
Me një program të larmishëm ndërkombëtar të shtrirë në 11 lokacione të ndryshme, “Prizren Fest” tashmë është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore të verës në Kosovë.
Edicioni i pestë vjen me produksione nga vende të ndryshme të botës, me tema që trajtojnë çështje universale e shoqërore, si dhe me synimin për ta kthyer teatrin në një mjet komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun. Edicioni i sivjetmë do të hapet zyrtarisht me shfaqjen “Borderless Body” nga Sllovenia. /E.A/
