Një artist po e padit reperin Travis Scott me qindra mijëra dollarë për siç thotë ai vjedhjen e punës së tij artistike dhe përdorimin e saj si kopertinë për albumin e vitit 2016 të reperit, “La Flame”.
Mickaël Mehala, që njihet edhe si Black Childish, dorëzoi padi ndaj tij, ku pretendon se reperi përdori krijimtarinë e tij pa leje.
Avokati i reperit Scott, Ed McPherson i hodhi poshtë akuzat. Madje ai insistoi që Scott nuk e ka lansuar kurrë atë album.
“Kjo është padyshim një dosje joserioze dhe e pabazë. Kushdo që ka qasje në internet mund t’ua dëshmojë se Travis nuk publikoi kurrë një album të quajtur “La Flame”. Ilustrimi në fjalë ishte bërë nga fansat dhe u ngarkua në shërbimet e transmetimit nga po ata fansa, diçka që çdo përdorues ka mundësinë ta bëjë”, thuhet në deklaratë.

Në padi, Mehala pretendon se ai krijoi veprën artistike në vitin 2015 dhe ia dërgoi Scott-it për ta parë dhe ndarë me fansat në vitin 2016. Mehala pretendon se Travis nuk iu përgjigj kurrë mesazhit. Më vonë, ai zbuloi se imazhi po përdorej si kopertinë e albumit “La Flame”./UBTNews