Këngëtarja dhe tekstshkruesja Joni Mitchell tha se do t’i heqë këngët e saj nga platforma Spotify, pas shqetësimeve për keqinformim rreth vaksinimit në këtë platformë.
“Njerëz të papërgjegjshëm po shpërndajnë gënjeshtra që po u kushtojnë me jetë njerëzve. Solidarizohem me Neil Young dhe me shkencëtarët e komunitetin mjekësor në këtë çështje”, shkroi muzikantja kanadeze në uebsajtin e saj të premten.
Ky vendim i saj erdhi pas muzikantit Neil Young, i cili kërkoi nga menaxherët dhe labeli i tij që t’i hiqen të gjitha këngët në Spotify, pas dezinformatave rreth vaksinave që u përhapën nga komediani Joe Rogan. Rogan është kritikuar për intervistimin e një specialisti të sëmundjeve infektive, i cili kundërshton vaksinimin e fëmijëve kundër COVID-19.
Mitchell, e njohur për këngët e saj “Big Yellow Taxi” dhe “A Case of You”, citoi gjithashtu një letër të hapur drejtuar Spotify të publikuar në fillim të këtij muaji nga një koalicion shkencëtarësh dhe profesionistësh mjekësorë që kërkonin zbatimin e një politike kundër dezinformimit./UBTNews