UBT News

Edhe artistët vendosën “sanksionet” e tyre ndaj Rusisë

Qëkur forcat ruse pushtuan Ukrainën, shumë njerëz janë shprehur kundër këtij vendimi. Kjo përfshin artistë që kanë planifikuar të performojnë në Rusi e të cilët anuluan koncertet e tyre.

Më poshtë gjeni një listë të muzikantëve që kanë anuluar shfaqjet e tyre.

Green Day

Koncerti i Green Day në Spartak të Moskës u planifikua të mbahej në muajin maj, si pjesë e turneut të tyre Hella Mega. Por të dielën grupi njoftoi përmes llogarisë së tyre të verifikuar në Instagram se po e anulojnë shfaqjen.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ky moment nuk ka të bëjë me shfaqjet rock në stadium, është shumë më shumë se kaq. Por ne e dimë gjithashtu se rock and roll është përgjithmonë dhe ndihemi të sigurt se do të ketë një kohë dhe një vend ku do të kthehemi në të ardhmen. Rimbursimet janë të disponueshme në pikën e blerjes. Qëndroni të sigurt”, thuhej në deklaratën e tyre të postuar.

AJR

Treshja e popit indie AJR postoi në Twitter më 25 shkurt se po anulojnë një koncert të planifikuar në Moskë për në muajin tetor, së bashku me disa fjalë të mençura për dezinformimin.

“Ne me pikëllim të ju njoftojmë se do të anulojmë shfaqjen tonë të ardhshme në Rusi. Faleminderit tifozëve tanë rusë që kundërshtojnë sjelljen e paprovokuar dhe kriminale të vendit të tyre. Zemrat tona janë me popullin e Ukrainës. Në këtë pikë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të shpërndani informacione të sakta”, shkroi në Twitter grupi, i përbërë nga vëllezërit Adam, Jack dhe Ryan Met.

Louis Tomlinson

Ish-anëtari i One Direction kishte planifikuar shfaqje në Moskë dhe në Stereo Plaza të Kievit në Ukrainë në korrik, si pjesë e turneut të tij botëror 2022.

Të hënën, ai shkroi në Twitter se koncertet nuk do të ndodhin.

“Për shkak të ngjarjeve të fundit në Ukrainë, më duhet të njoftoj me trishtim se turneu im në Moskë dhe Kiev janë anuluar deri në njoftimin e mëtejshëm”, thuhej në shkrimin e tij të postuar në Twitter. “Siguria e fansave të mi është prioriteti im dhe mendimet e mia shkojnë te populli i Ukrainës dhe të gjithë ata që vuajnë nga kjo luftë e panevojshme”.

Health

Grupi Rock Health njoftoi të hënën se nuk do të performonte në dy koncertet e tyre të planifikuara në Rusi.

“Megjithëse ne nuk dëshirojmë të penalizojmë fansat tanë për vendime qeveritare që janë jashtë kontrollit të tyre, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të punëve, ne nuk do të kryejmë më shfaqjet tona të planifikuara më parë në Shën Petersburg dhe Moskë. Mendimet tona shkojnë për popullin e Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë në Instagram.

Yungblud

Artisti britanik tha në një deklaratë të hënën se nuk do të performojë në Rusi këtë verë.

“Më thyhet zemra të njoftoj se do të anuloj shfaqjet e mia ruse të planifikuara për këtë verë. Zemërthyer sepse e di që aktet e egra dhe brutale të regjimit rus në Ukrainë gjatë javës së kaluar nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe idealet e njerëzve të bukur që kam takuar në Rusi në të kaluarën! Zemra ime është me ju, ju keni treguar tashmë një forcë dhe vendosmëri të tillë, duke i rezistuar këtij pushtimi të panevojshëm. Çdokush meriton të jetë krijuesi i fatit të tij, në vend që t’i detyrohet me akte lufte dhe agresioni”, shkruhej në deklaratë.

“Ukrainë, të premtoj se do të kthehem sa më shpejt që të mundem”, përfundoi Yungblud./UBTNews/

Exit mobile version