UBT News

Dybala thotë se e kishte urryer Ronaldon kur ishte fëmijë

Paulo Dybala i kishte thënë Cristiano Ronaldos se ai e kishte urryer atë sa kishte qenë fëmijë, gjatë kohës kur dyshja ishin bashkëlojtarë te Juventusi, për shkak të prejardhjes së tij argjentinase.

Dybala dhe Ronaldo kaluan tre sezone së bashku para se superylli portugez të bënte një rikthim dramatik te Manchester United në verën e vitit 2021, ku asokohe arritën ta fitojnë titullin e Serie A dy herë.

Por, të luash përkrah njërit nga futbollistët më të mirë të gjitha kohërave ishte ende një ndjesi e çuditshme për Dybalan, besnikëria e të cilit në këtë debat është qartësisht në favor të heroit të tij kombëtar, Lionel Messit.

Duke folur për “DAZN”, Dybala zbuloi se i kishte treguar Ronaldos se sa shumë e kishte urryer atë kur argjentinasi ishte fëmijë.

“Ishin tre vite të mira me Cristianon, skuadra ishte e fortë dhe ai na dha neve diçka më shumë. Rivaliteti mes tij dhe Lionel Messit është i theksuar shumë në Argjentinë, dhe si fëmijë, sigurisht, unë mbaja gjithmonë anën e Messit”, tha Dybala.

“Një herë ishim në aeroplan duke shkuar për të luajtur një lojë, unë isha mbrapa ndërsa ai ishte ulur më para meje. Dikur ai erdhi të fliste me mua për futboll dhe gjëra të tjera. Ne biseduam për jetët tona në përgjithësi kështu që unë i thash atij ‘Në thelb të urreja si fëmijë’. Qeshëm së bashku. Ne gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të mirë, biseda të mira”, shtoi më tej Dybala.

Ndërsa Ronaldo ndau rrugët me Juventusin në vitin 2021, Dybala e bëri të njëjtën gjë një vit më vonë, duke u larguar drejt kryeqytetit italian dhe skuadrës së Jose Mourinhos, AS Romas.

Pavarësisht disa problemeve me lëndime, 29 vjeçari e ka vendosur vetën si lojtar kyç të Romës, duke kontribuar në 25 gola në 34 ndeshje këtë sezon, dhe duke ndihmuar “Giallorossët” drejt gjysmëfinales së Ligës së Evropës.

Exit mobile version