UBT News

Dy të rinj shqiptarë akuzojnë policinë në Shkup për dhunë brutale, nisin hetimet

Një incident i rëndë ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, ku dy të rinj të shqiptar moshës 21 dhe 23-vjeçare kanë denoncuar në polici se janë rrahur brutalisht nga efektivët policorë në Shkup.

Sipas dëshmisë së të rinjve, policët kanë shtënë me armë zjarri, u kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë dhunuar fizikisht pasi i kanë lidhur dhe shtrirë në tokë. Ndërkaq, në raportin e brendshëm policor pretendohet se të rinjtë kanë tentuar t’i marrin pistoletën një efekti, pretendim ky që hidhet poshtë nga të dëmtuarit, të cilët deklarojnë se arma kishte përfunduar në veturë pasi policia u kishte thyer xhamin.

Lidhur me rastin ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të paanshëm e transparent, si dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni. Nga BDI theksuan se llogaridhënia është e domosdoshme dhe se dinjiteti i qytetarëve nuk mund të cenhet nga ata që e kanë për detyrë t’i mbrojnë.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se Kontrolli i Brendshëm ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen e 7 tetorit. Përmes një deklarate zyrtare, Iseni garantoi llogaridhënie të plotë nëse konstatohen shkelje të autoritetit ligjor, duke nëvizuar se uniforma është përgjegjësi për t’i shërbyer ligjit dhe se qytetarët do të njoftohen në kohë për rezultatet e hetimit. /Alsat M/

 

Exit mobile version