Botimet DRINI sjellin dy libra të rëndësishëm të gazetarit të njohur Nehat Islami: “Hotel Bejruti” dhe “Kur vjen kamerieri”.
Të dy përbëjnë dëshmi të çmuara të gazetarisë shqiptare dhe reflektimi mbi periudha historike të ndryshme.
“Hotel Bejruti”, në botimin e tij të tretë, ofron raportime autentike nga vendet e krizave në Lindjen e Mesme gjatë viteve ’70 – Libani, Siria, Iraku, Irani dhe Egjipti – dhe përmban një epilog që pasqyron zhvillimet e mëvonshme.

Si korrespondent i gazetës Rilindja, Islami nuk ishte vetëm raportues, por edhe analist i thellë i ngjarjeve, duke sjellë përvojën e Lindjes për lexuesin shqiptar në formë të letërsisë dokumentare.
“Kur vjen kamerieri” përmbledh artikujt e tij të viteve ’90 në gazetën Bujku, në një periudhë të vështirë për shqiptarët e Kosovës. Shkrimet dokumentojnë realitetin politik dhe social, duke lidhur kontekstin vendor me zhvillimet ndërkombëtare dhe ruajtur shpresën kolektive.
Të dy librat e Nehat Islamit ofrojnë një profil të rrallë të gazetarit të ndershëm dhe të përkushtuar, duke qenë burim referimi për studentë, studiues, diplomat dhe çdo qytetar që dëshiron të kuptojë botën përreth tij.
Me këto botime, Botimet DRINI ruajnë trashëgiminë dokumentare, kulturore dhe profesionale të gazetarisë shqiptare. /A.Z/UBT News/
