Studentët e UBT-së kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në garën studentore të dizajnit, të zhvilluar në kuadër të Konventës së 8-të të Industrisë së Drurit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme për sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë. Konventa, e organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, mblodhi profesionistë, ekspertë dhe studentë nga e gjithë vendi, duke krijuar një platformë të rëndësishme për prezantimin e ideve dhe inovacioneve në industrinë e drurit.
Në këtë aktivitet, të dy çmimet kryesore u fituan nga studentët e UBT-së: vendi i dytë u fitua nga Berna Salihu dhe vendi i tretë nga Diona Ukaj. Të dy projektet u vlerësuan për kreativitetin, funksionalitetin dhe elegancën e dizajnit, duke reflektuar përgatitjen profesionale dhe qasjen moderne të studentëve në këtë fushë.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe Dekania e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në UBT, Ariana Gjoni, e cila përfaqësoi institucionin në emër të Rektorit të UBT-së. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe institucioneve akademike, si dy shtylla kyçe për zhvillimin e sektorit të drurit dhe të dizajnit në Kosovë.
UBT ka ndërtuar ndër vite një model unik bashkëpunimi me industrinë e drurit, prodhimit dhe dizajnit. Institucioni beson se universiteti duhet të jetë i lidhur ngushtë me ekonominë reale, të prodhojë dije praktike dhe të kontribuojë në modernizimin e industrisë. Si rezultat, çdo vit më shumë se 90% e studentëve të UBT-së punësohen në këtë sektor, shpesh para diplomimit.
Suksesi i Bernës dhe Diona Ukajt përbën një dëshmi të talentit, përkushtimit dhe nivelit të lartë të përgatitjes së studentëve të UBT-së. Institucioni shpreh krenarinë për këtë arritje dhe riafirmon angazhimin për t’i mbështetur studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
