Mesfushori, Kristjan Asllani, së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes, ku sezoni i kaluar te Empoli ishte i shkëlqyer për yllin shqiptar.
Paraqitjet e tij lanë përshtypje tejet të mira te krerët e Interit, ndërsa gjatë kësaj merkatoje, Asllani arriti që të transferohet te “Nerazzurët”.
Pas këtij suksesi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka dha një intervistë për uebsajtin italian “L’Interista”, duke vlerësuar lartë mesfushorin shqiptar ku edhe tha se Asllani së shpejti do të jetë Luka Modrici i ri.
“Kristjan është një futbollist i perspektivës, shpresoj shumë dhe jam i bindur që do të konkurojë me Brozovic për një pozicion si titullar. Dhe në të ardhmen, mendoj shumë shpejt, kur të fitojë një vend të rregullt në 11-shin e Interit, ai do të jetë gjithashtu një lojtar i rëndësishëm në nivel botëror”, tha Duka.
“Ashtu siç e shoh unë, ai mund të jetë Luka Modric i ardhshëm. I ka të gjitha cilësitë për të arritur majat, është i ri, ka aftësi të larta teknike, vendosmërinë e duhur dhe karakter të fortë. Falë këtij karakteri ai mund të arrijë shumë lart dhe të bëjë gjëra të mëdha”, shtoi më tej presidenti i FSHF-së.
Po ashtu, Duka kishte edhe një këshillë për Asllanin, ku ndër të tjera ai i sugjeroi të punojë sa më shumë që mos të jetë thjeshtë zëvendësuesi i Brozovic.
“Për të do të jetë shumë e rëndësishme të qëndrojë me këmbë në tokë, të punojë shumë dhe me përulësi. Objektivi i tij i parë, natyrisht, është të fitojë pozicionin e titullarit në skuadrën zikaltër dhe të mos jetë thjeshtë zëvendësuesi i Brozoviç”, tha Duka.
Sezonin e kaluar, Kristjan Asllani arriti të bëjë 34 paraqitje në të gjitha garat për Empolin, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime.