Mbrëmë u mbajt ceremonia e “Brit Awards”, ku ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, u shpërblye me dy çmime, “albumi më i mirë i vitit” me “Future Nostalgia”, dhe “artistja më e mirë e vitit”. Në këtë edicion triumfuan edhe J Hus, Harry Style dhe Taylor Swift.
Ky event u mbajt në O2 Arena në Londër me 4 mijë spektatorë, pa distancë fizike dhe pa maska.
Çmimin për “artisten më të mirë britanike” Dua ia dedikoi infermieres britanike, Dame Elizabeth Anionwu – pasiqë siç tha artistja, ajo po lufton “pabarazitë racore” dhe po “mbron punëtorët e vijës së parë të frontit”.
“Kam zgjedhur që çmimin tim ta ndajë me Elizabeth Anionwu. Ajo e ka kaluar karrierën e saj të mrekullueshme të infermierisë duke luftuar pabarazitë racore. Ajo ka avokuar shumë për mbrojtjen e punëtorëve të vijës së parë të frontit. Ajo gjithashtu ka thënë se ekziston një pabarazi masive midis mirënjohjes dhe respektit për punëtorët e vijës së frontit, sepse është shumë mirë të duartrokasim për ta, por ne duhet t’i paguajmë ata. Prandaj unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është që ne të gjithë duhet t’i duartrokasim dhe t’i japim Borisit një mesazh që të gjithë mbështesim një rritje të drejtë të pagave për vijën e parë të frontit”, ka thënë artistja.
Të gjithë fituesit në edicionin e sivjetmë të Brit Awards kanë marrë dy statuja, meqë ideja ishte që statuja e vogël t’i dhurohej dikujt që fituesit e admirojnë./UBTNews