Dua Lipa është shprehur kundër një reklame që doli në New York Times e cila e akuzonte atë dhe modelet Gigi dhe Bella Hadid për “antisemitizëm” pasi që ato kishin shprehur mbështetjen e tyre publike të anti-okupimit të Palestinës, pas ndodhive të fundit atje që lanë të vdekur mbi 240 palestinezë, ndër ta 63 fëmijë.
Reklama, e cila u prodhua dhe u pagua nga Rrjeti i Vlerave Botërore të Rabbi Shmuley Boteach, përmbante foto të Dua Lipës dhe modeleve Hadid të mbivendosura në një imazh të raketave të Hamasit, me shkronja të mëdha ku thuhej: “Bella, Gigi dhe Dua, Hamas po bëjnë thirrje për një Holokaust të dytë. Dënoni ato tani!”.
Teksti në pjesën e poshtme të reklamës pretendon se “tre mega-ndikuesit kanë poshtëruar shtetin hebre” duke përhapur “shpifje të neveritshme”.
Mirëpo Dua iu përgjigj reklamës në një deklaratë të postuar në Twitter.
— DUA LIPA (@DUALIPA) May 22, 2021
Në deklaratë thuhej:
“Unë plotësisht hedh poshtë pretendimet e rreme dhe të tmerrshme që u botuan në reklamën e New York Times”, dhe se “Rrjeti i Vlerave Botërore po përdorin paturpësisht emrin tim për të avancuar fushatën e tyre të shëmtuar me gënjeshtra dhe keqinterpretime të dukshme lidhur me atë se kush jam dhe për çfarë përfaqësoj. Unë qëndroj në solidaritet me të gjithë njerëzit e shtypur dhe hedh poshtë të gjitha format e racizmit”.
Lipa sqaron gjithashtu: “Unë besoj se të gjithë – hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët – kanë të drejtë të jetojnë në paqe si qytetarë të barabartë të një shteti që ata zgjedhin”./UBTNews
(Arjeta Ibishi, Media dhe Komunikim)