Këngët e Dua Lipa ishin këngët më të luajtura dhe dëgjuara në radio në Britaninë e Madhe përgjatë vitit 2020, duke e bërë artistet shqiptare këngëtaren më të preferuar për britanikët falë albumit të saj fitues të shumë çmimeve “Future Nostalgia”.
Në krye të klasifikimit ajo i ka dhënë fund mbretërimit të Ed Sheeran, i cili ka qenë artisti më i luajtur në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit që nga viti 2017. Dy nga këngët e saj hit, “Physical” dhe “Don’t Start Now”, ishin ndër 10 këngët më të luajtura në radiot ishullore.
Të dhënat u përpiluan nga kompania e licencimit të muzikës PPL, e cila monitoron muzikën e luajtur në TV dhe radio dhe në pub-e dhe klube. Ed Sheeran ishte artisti i dytë më i luajtur, i ndjekur nga Ariana Grande dhe Sam Smith.
“Future Nostalgia” u hodh në treg vetëm katër ditë para izolimit të parë të Britanisë së Madhe për shkak të Covid, marsin e kaluar, një vendim që i shkaktoi yllit disa net pa gjumë, raporton TCh.
“Unë kam qenë paksa e tensionuar nëse është gjëja e duhur për të bërë gjatë kësaj kohe, sepse shumë njerëz po vuajnë”, tha ajo në atë kohë.
Albumi provoi të ishte kolona zanore e karantinës së shumë njerëzve, që siguronin antidotin e përsosur të izolimit. “Ishte një vendim kaq i ndërlikuar, por disa vendime thjesht duhet të merren”, tha 25-vjeçarja për BBC në fillim të këtij viti.
“Future Nostalgia” ishte albumi më i shitur i vitit 2020 në Mbretërinë e Bashkuar, duke fituar më pas çmimet si albumi i vitit në Brit Awards dhe albumin më të mirë pop në Grammys.