Trajneri i mirënjohur i Kosovës, Driton Kuka, ka pranuar çmimin kryesor “Pllaka e Artë” nga Akademia Sportive e Malit të Zi. Ky vlerësim i lartë iu nda gjatë Konferencës së 24-t Ndërkombëtare të mbajtur në Budva, si mirënjohje për rezultatet e tij të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
Akademia ka vlerësuar lart kontributin e Kukës në promovimin e sportit të xhudos dhe arritjet e tij të pashembullta që e ngritën Kosovën në majat e sportit botëror. Ky çmim vjen si dëshmi e punës së palodhshme të trajnerit që krijoi një “shkollë të artë” të xhudos në vendin tonë.
Nën udhëheqjen e Driton Kukës, ekipi i Kosovës ka arritur rekorde historike që përfshijnë:5 medalje olimpike; 10 medalje botërore; 30 medalje evropiane, si dhe qindra dekorata të tjera në gara prestigjioze.
Ky sukses i radhës konfirmon statusin e Kukës si një prej trajnerëve më të suksesshëm në botë, duke i dhënë Kosovës një imazh të fuqishëm përmes sportit.
