Kampioni në fuqi, Drita, dhe klubi më i trofeshëm në futbollin kosovar, Prishtina, do të përballen sot në Gjilan në kuadër të ndeshjes së mbetur nga xhiroja e dytë e Albi Mall Superligës. Sfidë kjo ku tri pikët mbajnë një peshë të jashtëzakonshme në luftën për kreun e tabelës.
Ballafaqimi i dy gjigantëve të futbollit vendor do të zhvillohet në stadiumin ndihmës me bari artificial në Gjilan, ku ambalazhohet një përplasje e fortë taktike. Për skuadrën e Dritës, ky takim përfaqëson shansin ideal për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për t’u barazuar me Prishtinën në pozitën e dytë me 26 pikë. Në krahun tjetër, bardhekaltërit nga kryeqyteti synojnë një fitore që do t’i ngjiste në kuotën e 29 pikëve, duke parakaluar lideren aktuale, Malishevën, që udhëheq me 27 pikë.
Format e të dyja ekipeve paralajmërojnë një duel mjaft interesant. Drita hyn në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, përfshirë edhe një triumf bindës 0-3 të arritur pikërisht ndaj Prishtinës në kryeqytet. Ndërkaq, Prishtina – e cila e e nisi këtë edicion me shtatë fitore rresht – ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë dulet e fundit, duke kërkuar kësisoj këndelljen në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
Peshën e takimit e rrit edhe bilanci i historikut mes tyre. Në dhjetë përballjet e fundit, Drita dominon me pesë fitore kundrejt dy të Prishtinës, ndërsa tri sfida janë mbyllur me barazim. Sidoqoftë, Prishtina mbetet skuadra më e dekoruar në vend me 11 tituj kampioni, nëntë Kupa dhe 11 Superkupa pas pavarësimit të futbollit kosovar. Nga ana tjetër, Drita ka konsoliduar suksesin në futbollin e pasluftës me pesë tituj kampioni, dy prej të cilëve radhazi në edicionet e fundit, duke i dhënë këtij derbi të gjitha përbërësit e një përplasjeje të madhe sportive. /E.A/
