UBT News

Donjeta Sadiku siguron medaljen e parë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Boksierja Donjeta Sadiku i ka siguruar Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi triumfoi në çerekfinale ndaj turkes Esmanur Lok.

Përballja e kategorisë deri në 60 kilogramë solli një luftë mjaft të fortë. Sadiku e nisi me dominim raundin e parë, ndërsa boksierja turke u rikthye në të dytin, duke shfrytëzuar edhe përparësinë në gjatësi. Në raundin e tretë e vendimtar, ku u shkëmbyen goditje të shumta, përvoja e boksieres kosovare bëri diferencën — me goditje më të pastra, ajo mori fitoren me vendim të ndarë të gjyqtarëve (4:1).

Me këtë kalim në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë, ndërsa synon të artën. Në gjysmëfinale ajo do të përballet me boksieren nga Greqia, Sofia Legaki.

Sadiku mbetet e vetmja nga ekipi i boksit që vazhdon garën, pasi katër boksierët e tjerë kosovarë u eliminuan në luftërat e tyre të para. /E.A/

Exit mobile version