UBT News

Donjeta Sadiku drejt Botërorit të Boksit

Nga 13 gushti deri më 2 shtator 2025, boksierja kosovare Donjeta Sadiku, së bashku me trajneren dhe selektoren Marjola Sallauka, po zhvillon përgatitje intensive në kampin stërvitor në Sheffield të Anglisë.

Ky kamp përfaqëson një hap vendimtar në rrugëtimin drejt Kampionatit Botëror të boksit, i cili do të mbahet nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool të Anglisë.

Sadiku ka dëshmuar prej kohësh cilësitë e saj si një nga emrat më të fuqishëm të boksit botëror. Ajo ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror 2022 në Stamboll, një tjetër medalje të bronztë në Kampionatin Evropian 2022 në Budva, si dhe ka shkëlqyer këtë vit me triumfe të njëpasnjëshme duke fituar medalje të arta në tri turnetë prestigjioze: Strandja në Bullgari, Brussels Capital Tournament në Belgjikë dhe Feliks Stamm në Varshavë të Polonisë.

Me këtë përvojë, pritshmëritë dhe besimi janë të mëdha: që Donjeta Sadiku të kurorëzohet në Liverpool si Kampione e Botës, duke sjellë medaljen e artë në Kosovë.

Exit mobile version