Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka siguruar me sukses kalimin në fazën play-off të UEFA Conference League, pasi mposhti thellë me rezultat 5:0 ekipin nga San Marino, Tre Fiori, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Me këtë triumf bindës dhe me rezultatin e përgjithshëm 9:1 nga të dyja ndeshjet, gjilanasit bëjnë një tjetër hap të madh drejt përsëritjes së suksesit për kualifikim në fazën e ligës. Në raundin e ardhshëm play-off, Drita do të përballet me skuadrën nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, një kundërshtar që e ka mposhtur edhe në edicionin 2020/21.
Ndeshja e zhvilluar në kryeqytet u dominua tërësisht nga vendasit që nga minuta e parë, ku pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3:0 falë dy golave të mesfushorit francez Kemehlo Nguena dhe një penalltie të realizuar nga Arb Manaj.
Me të nisur pjesa e dytë, zëvendësuesi Mike Arthur çoi shifrat në 4:0, ndërsa sulmuesi Arb Manaj vulosi fitoren e thellë me golin e tij të dytë personal në minutën e 60-të. Kjo sfidë shënoi edhe rikthimin fitues në stol të trajnerit Ardian Nuhiu, i cili u shpreh i kënaqur me karakterin e ekipit, por nëgjiroman theksoi se fokusi i menjëhershëm i skuadrës do të jetë ndeshja e së dielës në Superligë kundër Llapit, përpara se të mendojnë për përballjen evropiane ndaj ekipit nga Andorra. /E.A/
