Në kuadër të festivalit më të madh, Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT hapi zyrtarisht punimet e Akademisë Verore për Inxhinierinë e Dizajnit të Produkteve, e cila po zhvillohet në Qendrën UBT – Dukagjin në Prishtinë.
Ceremonia e hapjes u udhëhoq nga koordinatorja e programit të Akademisë Verore në Fakultetin e Inxhinierisë së Mekatronikës, Prof. Saranda Demolli, i cili theksoi rëndësinë e kësaj akademie në zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale të studentëve në fushën e projektimit dhe dizajnimit të produkteve moderne. Ai vlerësoi se kombinimi i njohurive teorike me aplikimet praktike përbën një element kyç në përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve, të gatshëm për sfidat e industrisë bashkëkohore.
Programi i akademisë nisi me ligjëratat e udhëhequra nga Ideal Rafuna, i cili prezantoi konceptet bazë të modelimit 2D dhe 3D, duke u fokusuar në përdorimin e metodave dhe mjeteve moderne të projektimit kompjuterik. Pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë ushtrime praktike në dizajnimin e pjesëve mekanike, duke fituar njohuri të vlefshme mbi procesin e krijimit dhe optimizimit të komponentëve inxhinierikë.
Në ditët në vijim, akademia do të vazhdojë me tema të avancuara që përfshijnë projektimin e komponentëve të dronëve, krijimin e bashkësive (assemblies), simulimet strukturore dhe animacionin e modeleve të projektuara. Përmes këtyre sesioneve, pjesëmarrësit do të njihen me procesin e plotë të zhvillimit të një produkti – nga konceptimi dhe modelimi digjital deri te analiza funksionale dhe vizualizimi i tij.

