Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
19 tetor 1993
Policia serbe për një vit keqtrajtoi disa mijëra shqiptarë
Në një takim që patën dje përfaqësuesit e KMDLNJ-së në Prishtinë me Stefani Grant dhe Tatjana Termaçiç, përfaqësuese e Qendrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut, me seli në Gjenevë, u prezantuan të dhëna mbi represionin serb në Kosovë.
Kështu, sipas të dhënave jo të plota që posedon KMDLNJ, gjatë periudhës gusht 92 – gusht 93 u shënuan 5.607 raste të ndryshme të trajtimit policor të shqiptarëve, u arrestuan 1.396, u rrahën 804, u dënuan me burg 161, kurse u keqtrajtuan 432 veprimtarë të partive politike e të shoqatave që tubojnë shqiptarët.
Po ashtu KMDLNJ informoi mysafirët se vetëm gjatë dy muajve të fundit të këtij viti (gusht – shtator), në forma të ndryshme nga policia serbe u trajtuan 1.224 veta, 334 u arrestuan, 94 u ftuan në polici, kurse 148 shqiptarë u rrahën.
19 tetor 1994
Edhe dy të rinj u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe
Këto ditë policia ushtarake serbe, solli në kazermën ushtarake serbe në Mitrovicë, Petrit Morinën nga fshati Loxhë i Pejës.
Ai u mbajt tri ditë në kazermë dhe më 11 tetor të këtij viti u dërgua në Gjyqin ushtarak në Nish, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Vlenë të theksohet se për dërgimin me dhunë në Gjyqin ushtarak në Nish, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë u njoftua përmes dy shokëve të Petrit Morinës, të cilëve ai ua kishte dhënë një letër që t’ia dërgojnë familjes së tij në Logjë.
Ndërkaq, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Lipjan, njofton se policia serbe arrestoi të riun Mehmet Hasani nga Gllogovci i Lipjanit dhe e dërgoi me dhunë në ushtrinë serbe në Beograd.
Bëhet me dije se Mehmeti kohë më parë ka shërbyer 13 muaj gjatë kohës së luftës në Vukovar.
19 tetor 1995
Plaçkitje e policisë në tregun e Podujevës
Në vargun e aksioneve të policisë serbe për plaçkitjen e mallit dhe parave nga tregtarët shqiptarë që u ndërmorrën nëpër disa qytete të Kosovës, më 14 tetor u ndërmor një aksion plaçkitjeje edhe në tregun e pemëve dhe perimeve në Podujevë.
KI i Degës së LDK-së në Podujevë njofton se në këtë aksion nga tregtarët shqiptarë u plaçkit një sasi e konsiderueshme e mallit.
20 tetor 1997
Prizren: Gjatë dy mbrëmjeve policia serbe ka keqtrajtuar mbi 20 shqiptarë
Mbrëmë dhe parmbrëmë, pas lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në korzon e Prizrenit, policia serbe ka keqtrajtuar mbi 20 qytetarë shqiptarë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.
Njoftohet se parmbrëmë, me të filluar shëtitja, policia serbe mori udhëheqjen e Këshillit Organizativ të UPS të Shkollës së Lartë “Xhevdet Doda” në Prizren, të cilët u dërguan në stacionin e policisë. Ata u liruan nën kërcënimin që t’i ndërprejnë protestat.
Njoftohet se fizikisht janë keqtrajtuar Feim Hoti, Shpëtim e Afrim Bytyçi, Ilir Balaj, Selami Mamaj, Bujar Basha, kryetari i Degës së FR të LDK-së në Prizren, Besim Kollari e të tjerë.
Mbrëmë janë legjitimuar dhe janë marrë në të ashtuquajturën bisedë informative edhe Hysen Krapi e Isa Morina, profesorë të Shkollës së Mesme Ekonomike, të cilët janë kërcënuar nga policët, ndërsa disa të rinjëve policia ua ka marrë letërnjoftimet dhe i ka urdhëruar që të paraqiten në polici.
Këshilli Organizativ i UPS të SHLP “Xhevdet Doda” i deklaroi Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Prizren se fton qytetarët që t’i vazhdojnë shëtitjet në “Shadërvan” në të njëjtën kohë, por në formë të shëtisë së lirë.
19 tetor 1998
Policia gjermane ua shpëtoi jetën 75 refugjatëve shqiptarë
Gazeta e djeshme gjermane “Main-Echo”, njofton se në mëngjesin e pardjeshëm, në njësinë federale të Bavarisë arriti të lirojë 75 refugjatë shqiptarë, të cilët ishin nënshtruar rrezikut akut të jetës, njofton “Bujku” i sotëm.
Shoferi dhe një anëtar tjetër i grupit të kontrabandistëve, me njerëz kishin mbyllur rimorkion e hermetizuar të kamionetës, që kishte një sipërfaqe prej vetëm tetë metrash katrore, 75 refugjatë shqiptarë. Në mesin e refugjatëve gjendeshin 61 burra, nëntë gra dhe pesë fëmijë. Nga pasojat e mbylljes së rimorkios, shumë udhëtarë kishin filluar të tregojnë shenja të alivanosjes nga kushtet e hipoksisë si pasojë e mbylljes hermetike të rimorkios së furgonit. Autoritetet policore theksuan se pak para orës 6:00 të mëngjesit, në lokalitetin Tirschentreuth, gjatë një kontrolli rutinor të automjeteve, rastisën kamionetën me udhëtarët e rrezikuar. Nëntëmbëdhjetë udhëtarë me simptomatologji me manifeste të alivanosjes, u dërguan menjëherë për trajtim në spitalin e këtij qyteti.
Sipas informatave të zëdhënësit të Presidiumit Policor të Reggensburgut, u arrit që një kontrabandist të arrestohet, ndërsa shoferi i kamionit iku në drejtim të panjohur. Ditëve të fundit, për shkak të ekspandimit akut të numrit të refugjatëve nga Kosova, është trefishuar kontrolli policor i zonave perikufitare të Gjermanisë.
Foto: Mitrovica
