Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Nga takimi Anan-Rugova
1 qershor 1993
Konferencë për shtyp e Këshillit Grevist të “Rilindjes”
Greva e urisë e Adem Demaçit dhe e gazetarëve dhe shkrimtarëve të tjerë për fjalën e lirë shqipe, si dhe ajo e përgjithshme e punëtorëve të “Rilindjes”, hyri sot në ditën e nëntë.
Adem Demaçi dhe grevistët e tjerë janë të vendosur që të mos e ndërprejnë grevën e urisë deri në përmbushjen e kërkesave për ç’gjë edhe filloi greva, tha dr. Ali Jakupi, kryetar i Këshillit Grevist të “Rilindjes”, në konferencën e sotme për shtyp. Gjatë ditës së djeshme, tha Ali Jakupi, kemi patur tri takime me përfaqësuesin e KSBE-së për Kosovë, i cili po ndërmjetëson në bisedimet në mes të “Rilindjes” dhe palës serbe, për arritjen e kushteve për ndërprerje të grevës. Edhe pse bisedimet ishin tejet të vështira, pala shqiptare, tha A.Jakupi, ka treguar kooperativitet për bisedime për shkak të keqësimit të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të grevistëve. Ndonjë marrëveshje konkrete nuk është arritur ende, por bisedimet me ndërmjetësuesin e KSBE-së janë në vazhdim e sipër dhe brenda ditës së sotme, presim kontaktin e sërishëm me te, pasi që ai të ketë zhvilluar bisedimet me palën serbe. Deri tash, tha A.Jakupi, nuk kemi patur kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e ndërmarrjes fantome “Panorama”, por në moratoriumin 15 ditësh, që duhet të fillojë nga dita që do të arrihej ndonjë marrëveshje konkrete, mund të ndodhë që të kemi kontakte të drejtpërdrejta, por gjithashtu me mbikëqyrjen e përfaqsuesëve të KSBE-së.
Për gjendjen shëndetësore të Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë, konziliumi i mjekëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, sot dha këtë njoftim: “Në bazë të vizitës konzilare të mjekëve që i është bërë Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë, duke u mbështetur në raportet e ekipeve mjekësore si dhe analizave laboratoriko-biokimike, konziliumi i mjekëve konstaton se gjendja shëndetësore e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë po keqësohet gjithnjë e më tepër. Konstatohet edhe më tutje humbje rapide në peshën trupore. Në analizat e fundit laboratorike, konstatohet çrregullim funksional i mëlçisë dhe i veshkave, ndryshim në sistemin nervor qendror-periferik, si dhe atë kardiovaskular. Konziliumi i mjekëve, duke u bazuar në gjendjen momentale shëndetësore të grevistit Adem Demaçi dhe grevistëve të tjerë, u sugjeroi që të ndërprejnë grevën e urisë. Gjendja shëndetësore e grevistit Adem Demaçi dhe grevistëve të tjerë po mbikëqyret vazhdimisht nga ana e mjekëve”, thuhet në kumtesën që sot e lëshoi konziliumi i mjekëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
1 qershor 1994
“Dagbladet”: Valë e re arrestimesh në Kosovë
E përditshmja norvegjeze “Dagbladet”, botoi një bisedë me kryetarin e Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova me rastin e vizitës që i bëri Norvegjisë.
Në tekstin e bisedës thuhet: Kosova duhet të vëhet nën protektoratin e përkohshëm të OKB-së. Mendoj se kjo është e vetmja mënyrë që të evitojmë një gjakderdhje që do të ishte shumë më e madhe se ajo që u përjetua në Bosnjë, – thotë udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Derisa Rugova ishte në Danimarkë, Norvegji e Gjermani, policia serbe filloi një valë arrestimesh të udhëheqësve shqiptarë.
Gjatë vizitës së tij në Osllo, Rugova përsëriti vërejtjen për mospërfshirjen e Kosovës në veprimet rreth gjetjes së zgjidhjes paqësore në ish-Jugosllavi.
“Qëllimi ynë është Kosova e pavarur, neutrale dhe e demilitarizur, në të cilën do të ketë vend edhe për pakicën serbe”, – nënvizoi Rugova.
Ai apelon tek organizatat ndërkombëtare që të mos ia heqin sanksionet të ashtuquajturës Jugosllavi (Serbia dhe Mali i Zi), para zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
– Udhëheqësia serbe në Beograd, ka vendosur një regjim apartheidi në Kosovë. Përdorimi i dhunës është në rritje. Njëkohësisht, ushtria serbe në mënyrë hermetika i ka mbyllur kufijtë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë për të na izoluar nga miqtë tanë dhe nga bota, – thotë Rugova.
Policia serbe arrestoi këto ditë kryetarin e Odës Ekonomike, Ismail Kastratin dhe sekretarin, Sylejman Ahmetin.
Shumica shqiptare kanë ndërtuar institucionet paralele në të gjitha fushat, duke bojkotuar në të njëjtën kohë të gjitha organet serbe. Arrestimet e këtyre ditëve janë një përpjekje për t’i shkatërruar këto institucione, thuhet në fund të artikullit të gazetës norvegjeze “Dagbladet”.
1 qershor 1995
Sivjet vazhdon punën Seminari mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Dekanati i Fakultetit Filologjik të Prishtinës, me anën e një informate me shkrim, njofton se sivjet do të vazhdojë punën seminari mbi Gjuhën, letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në njoftimin e këtij Dekanati thuhet: ” Me kërkesën e Presidencës së Kosovës, Fakulteti Filologjik i Prishtinës vendosi që të vazhdojë traditën e mbajtjes së Seminarit mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili, siç dihet, ka qenë tradicional dhe është mbajtur për çdo vit në Prishtinë, nga viti 1974 deri më 1990. Pas pengesave nga më të ndryshmet, që nga viti 1981, qarqet zyrtare të Beogradit e ndaluan mbajtjen e këtij Seminari, atëherë kur i okupuan të gjitha institucionet universitare të Republikës së Kosovës dhe kjo ndërprerje zgjati katër vite të plota.
Sivjet, pas marrëveshjes ndërshtetëroree të Kosovës dhe Shqipërisë, u vendos që ky manifestim i rëndësishëm shkencor-kulturor të vazhdojë punën, tani si Seminar gjithëshqiptar, që do të mbahet herë në Prishtinë dhe herë në Tiranë, në organizimin e Fakultetit Filologjik të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kohë më parë, Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Filologjisë zgjodhi drejtor të Seminarit prof. dr. Zejnullah Rrahmanin, dekan i këtij fakulteti, ndërkaq Akademia e Shkencave e Shqipërisë, emëroi drejtor dr. Bahri Becin, drejtor i Institutit të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.
Në Seminarin e sivjemë, që do të mbahet në Tiranë, nga 15 gushti deri më 1 shtator të këtij viti, do të marrin pjesë 40 studiues të gjuhës dhe të letërsisë shqipe nga të gjitha kontinentet e botës. Kuadrot e Fakultetit të Filologjisë dhe të Institutit të Gjuhësisë të Tiranës do të jenë bartësit e kurseve dhe të ligjëratave që do të organizohen nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë shqipe si edhe nga lëmi i kulturës shqiptare. Në dy ditët e fundit të Seminarit do të organizohet Sesioni shkencor për studiuesit e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, me temën bosht “Meshari” i Gjon Buzukut, botimi i të cilit sivjet shënon jubileun 440 vjeçar.
Vazhdimi i mbajtjes së Seminarit mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka rëndësi të madhe për riorganizimin e insitucioneve arsimore dhe shkencore të Republikës së Kosovës dhe tregon vendosmërinë për pavarësinë e plotë të saj”.
1 qershor 1998
Druhet për një masakër të forcave serbe në fshatin Poklek i Ri
Burimet e LDK-së në Gllogoc i thanë sot QIK-ut se forcat serbe kanë masakruar dje pasdreke disa banorë të fshatit Poklek i Ri të Gllogocit dhe kanë djegur e plaçkitur shumë shtëpi të këtij fshati.
Disa dëshmitarë që janë lejuar të largohen nga fshati kanë deklaruar se forcat serbe hynë furishëm në fshat dhe i tubuan me të shpejtë banorët në radhë të gjata. Një pjesë të tyre i lejuan të largoheshin, duke i urdhëruar që shkonin përtej Bjeshkëve të Nemuna, në Shqipëri, dhe që të mos ktheheshin më kurrë, ndërsa një pjesë të banorëve i ndalën.
Një pjesë e banorëve që janë ndalur në fshat janë vrarë. Burimet e LDK-së në Gllogoc dhe Nënkëshilli i KMDLNJ-së në këtë qytet thanë se janë vrarë Ahmet Berisha (40), Ardian Hazir Deliu (18), vëllezërit Hajriz e Ahmet Hajdini dhe Sahit e Sefer Qorri. Për Ardianin, thuhet se është prerë në fyt.
Një dëshmitar tha se policia i ka ndezur shtëpitë me benzinë. Janë djegur së paku njëzet shtëpi, ndërsa janë plaçkitur gati të gjitha të tjerat. Në shtëpinë e Ahmet Berisha policët kanë plaçkitur mbi 50. 000 DM. Në familjet tjera janë marrë vetura, si një “Golf” e një “Opel kadet” 1. 3. Janë vjedhë shumë risivera e pjesë të tjera të antenave satelitore.
Aksionit të djeshëm të forcave serbe i parapriu një incident banal mes vete i dy policëve serbë.
Burimet e LDK-së thonë se zëvendëskomandanti i policisë serbe në Gllogoc, Trajkoviq kishte bërë ndeshje me një polic tjetër dhe ishte lënduar, mirëpo ai këtë e kishte paraqitur si gjoja sulm të shqiptarëve kundër tij.
Masmediat serbe njoftuan sot se dje në orën 15:00 në fshatin Poklek të Gllogovcit është vrarë nga pusia polici Tomisllav Fatiq.
Nga granatimet e vazhdueshme, Deçani e fshatrat po shndërrohen në gërmadha
Kryetari i Nënkëshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Deçan, Musa Berisha, përmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, njoftoi sot për gjendje dramatike në qytetin e Deçanit dhe në fshatrat Isniq, Llukë e Epërme, Beleg, Strellc, Vranoc, Carrabreg i Ulët dhe Carrabreg i Epërm e tjerë.
Të gjitha këto fshatra dhe qyteti i Deçanit po sulmohen parreshtur nga ushtria dhe policia serbe. Forcat serbe po shtijnë edhe me topa 220 mm. nga pozicioni Podi i Gështenjave dhe baza ushtarake në Hulaj.
Nga të shtënat e pandërprera, shumë fshatra dhe qyteti i Deçanit po shndërrohen në gërmadha, tha z. Musa Berisha.
Në Deçan e rrethinë forcat serbe vranë dje 20 shqiptarë
Musa Berisha, kryetar i Nënkëshillit për të drejtat dhe Liritë e Njeriut tha sot për mjetet e informimit se në Deçan dhe në disa fshatra të tij janë vrarë gjatë dy ditëve të fundit Tafil Kasumaj (47), profesor, Shaban Kasumaj (43), profesor, që të dy nga fshati Lloçan, Besart Dautaj (12) e Teuta Loshaj (21), nga Carrabregu i Epërm, Shyhrete Jeftaj nga Deçani, Beqir Rrustem Krasniqi (49), hoxhë, dhe Halit Zeqë Krasniqi (50), nga Vranoci, Avni Adem Përgjegjaj (32) nga Lumbardhi dhe Hajdar UKë Ukshinaj e Mehmet Ukë Ukshinaj nga Lubeniqi.
QIK-u ka njoftuar dje se janë vrarë edhe dy gra në Carrabreg të Epërm, emrat e të cilave nuk diheshin. Ato janë Hate Blakaj (60) dhe Ajmone Balaj (50) dhe Shaqir Dobraj (80) nga Carrabregu i Epërm, Fazë Krasniqi (43) e Imer Elez Ukaj (50) nga Vranoci, Xajë Kuçi (47) nga Deçani dhe Arif Mahmutdemaj e Rexhep Pavataj nga Strellci.
Musa Berisha tha se janë gjetur të vrarë edhe dy shqiptarë nga Strellci i Epërm, por nuk dihen ende emrat e tyre.
Kryetari Rugova u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan
Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga kryeministri, dr. Bujar Bukoshi, u takua sot në selinë e OKB-së në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Kofi Ananin dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit u bisedua për situatën në Kosovë dhe për shtimin e madh të dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve.
Kryetari i Republikës së Kosovës foli për gjendjen e rëndë, sidomos në komunën e Deçanit, dhe për pozitën e vështirë të njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e veta për shkak të dhunës së forcave serbe. Ai kërkoi një veprim urgjent të OKB-së me qëllim të ndërprerjes së dhunës dhe të fillimit të procesit paqësor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bazë të vullnetit të popullit për pavarësi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, përkujtoi se me qëllim të parandalimit të konfliktit në Kosovë dhe të parandalimit të destabilizimit të rajonit janë vendosur në Maqedoni trupat paqëruajtëse.
Dr. Rugova shprehu qëndrimin se trupat paqëruajtëse, si edhe forcat e NATO-s, është e nevojshme të vendosen në territorin e Kosovës dhe jo në kufijtë e saj.
- Anan tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, OSBE-ja, Grupi i Kontaktit, NATO, e institucionet tjera ndërkombëtare po punojnë në drejtim të ndërprerjes së dhunës në Kosovë dhe të parandalimit të konfliktit. Ai tha se status kuoja në Kosovë është e papranueshme dhe shtoi se sa më shpejt duhet të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për Kosovën.
Gjatë takimit u bisedua edhe për gjendjen e rëndë humanitare në Kosovë. Kryetari Rugova kërkoi nga z. Anan hapjen urgjente të një zyreje të OKB-së në Kosovë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së premtoi se do të angazhohet në këtë drejtim.
