UBT News

Dita e ndeshjes: Dardanët kërkojnë fitoren përballë Izraelit

Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet sot në fushë për të zhvilluar ndeshjen e tretë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Izraelin në terren neutral, në stadiumin “Nagyerdei” të Debrecenit në Hungari.

Kombëtarja e Kosovës e nisi këtë edicion me një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Republikës së Irlandës, por u mposht tri ditë më vonë nga Austria me rezultat 3-1. Me tri pikë të grumbulluara pas dy ndeshjeve, “Dardanët” renditen aktualisht në vendin e dytë në grup, pas Austrisë që kryeson me gjashtë pikë të plota.

Kundërshtari i sotëm i Kosovës, Izraeli, e ka nisur kampanjën në mënyrën më të keqe të mundshme. Pasi u mposht 3-1 nga Austria, izraelitët pësuan një tjetër humbje të thellë 3-0 ndaj Republikës së Irlandës. Me zero pikë dhe vetëm një gol të shënuar, ata ndodhen në fund të tabelës.

Për përzgjedhësin dhe futbollistët e Kosovës, sfida në Debrecen është një mundësi ideale për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Një fitore sot do t’i jepte ekipit moralin e nevojshëm përpara përballjes tjetër përcaktuese ndaj Austrisë, e cila zhvillohet më 4 tetor.

Ndeshja Izrael – Kosovë luhet sot, me fillim nga ora 20:45. /E.A/

Exit mobile version