Kosova nis nesër rrugëtimin në Kampionatin e 75-të Evropian të xhudos, ku sytë janë kthyer nga kampionia jonë olimpike, Distria Krasniqi.
Si bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë, Distria konsiderohet favoritja kryesore për të mbrojtur titullin dhe për të fituar medaljen e saj të katërt të artë në kontinent.
Përveç saj, në ditën e parë të garave në Gjeorgji, në tatam do të zbresin edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë, të cilat synojnë të befasojnë pas rikthimit nga lëndimet.
Ethet e garës do të vazhdojnë edhe të premten, ku në kërkim të medaljeve do të jenë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena.
Laura vjen si bartësja e katërt dhe pretendente serioze për podium, ndërsa Akil Gjakova do të përballet me konkurrencën më të fortë të mundshme në mesin e 41 xhudistëve në kategorinë deri 73 kilogramë.
Në këtë kampionat madhështor marrin pjesë mbi 400 sportistë nga 46 shtete të ndryshme, ndërsa ekipi i Kosovës udhëton me synime të qarta për të vazhduar dominimin në arenën ndërkombëtare.
