Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, studentët e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, së bashku me stafin akademik, patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Christopher Hyland, një njohës i proceseve ndërkombëtare dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të ligjëratës “Current Global Developments and Their Implications for Kosovo”, u diskutuan zhvillimet më të fundit globale, sfidat gjeopolitike dhe ndikimi i tyre në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë ligjëratës, Hyland ndau përvojën e tij shumëvjeçare në analizimin e proceseve ndërkombëtare dhe angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai foli për rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve afatgjata, dialogut ndërkombëtar dhe kuptimit të drejtë të proceseve historike e politike që kanë ndikuar në fatin e popujve dhe shteteve.
Duke reflektuar mbi ndikimin e mentorëve dhe përvojave të tij akademike, Hyland theksoi rëndësinë e krijimit të lidhjeve njerëzore dhe profesionale që ndërtohen mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta.
“Nëse takon individë me të cilët ndërton miqësi dhe mirëkuptim të sinqertë, ato marrëdhënie mund të zgjasin për vite të tëra dhe të krijojnë ura bashkëpunimi që tejkalojnë kufijtë dhe dallimet”, tha Hyland.
Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te përvoja e tij personale në njohjen e realitetit të Kosovës gjatë viteve të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke theksuar se studimi i zhvillimeve në terren e kishte shtyrë të shihte situatën përtej narrativave të zakonshme të kohës.
“Sa më shumë që e studioja situatën, aq më shumë kuptoja se qytetarët e Kosovës po përballeshin me shtypje të rëndë nga qeveria qendrore në Jugosllavi. Historia ishte shumë më ndryshe nga ajo që paraqitej në atë kohë”, u shpreh ai.
Hyland diskutoi me studentët mbi transformimet aktuale politike dhe ekonomike në botë, sfidat e sigurisë ndërkombëtare, rolin e aleancave strategjike dhe rëndësinë e pozicionimit të Kosovës në një mjedis global gjithnjë e më dinamik.
Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive dhe shkëmbim idesh, duke konfirmuar edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e debatit akademik, inovacionit dhe analizës së çështjeve me rëndësi globale.
