UBT News

Dhomat ekonomike të grave në Kosovë e Shqipëri zotohen për më shumë bashkëpunim

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësueset e të dyjave Dhomave u zotuan se do të kenë më shumë bashkëpunim në mes vete me qëllim që të mundësohet fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë dhe Shqipëri.

Presidentja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Afërdita Saraçini-Kelmendi, tha se marrëveshja do të ndikojë në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Numri më i madh i grave ia ka arritur dhe ia ka dalë pa bërë shkurtime në staf, natyrisht aty-këtu po, por jo shkurtime të mëdha siç ka ndodhur tek bizneset e burrave. […] Bashkëpunimi i dy Dhomave Ekonomike besoj se do të jetë një vokacion i përbashkët i të dy Dhomave që të bëjnë sa më shumë projekte të përbashkëta, të cilat do të shtyjnë të gjitha nevojat e grave të cilat janë të angazhuara në fushën e ndërmarrësisë”, tha ajo.

Marrëveshjen e bashkëpunimit e ka nënshkruar Linda Shala nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, e cila tha se qëllimi i saj është që të mundësohet fuqizimi i grave në Kosovë dhe Shqipëri.

“Të mundësojmë fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë dhe Shqipëri”, tha Shala.

Edhe presidentja e Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri, Antonela Hako, tha se një bashkëpunim i tillë është më se i domosdoshëm mes grave biznesmene të të dyjave vendeve.

“Mendoj që ka prej vitesh një dëshirë e madhe për të pasur tregje të përbashkëta dhe të ndihmojmë zonjat që të njihen me njëra-tjetrën, me punën e njëra-tjetrës, të shkëmbejnë eksperiencat, sepse realisht me të gjithë punën që ne kemi bërë gjatë këtij viti kemi parë se sa shumë nevojë kanë zonjat për t’u njohur, për të shkëmbyer eksperiencat”, tha Hako.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të bashkëpunimit, përfaqësueset e të dyjave Dhomave kanë zhvilluar takime B2B.

Exit mobile version