UBT News

Destinacionet e preferuara, shqiptarët rezervojnë Dubain dhe vendet e rajonit për festat e fundvitit

Nga rajoni për ski tek destinacionet ekzotike me diell, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve duket se po i shndërrojnë në traditë, pushimet e fundvitit jashtë vendit.

Një destinacion që ka zgjuar interesin e shqiptarëve dhe është kthyer në trend, është Dubai. Dikur ai konsiderohej një nga vendet më të shtrenjta, por sot është më i prekshëm dhe ekonomik, për shkak të linjës direkte nga Tirana. Dubai me komercialitetin e festave por dhe luksin e tij, është bërë shumë i preferuar, për shkak të lehtësisë që ofron për ta vizituar në kohë pandemie. Shtëpia e qiellgërvishtëseve dhe ditëve plot diell, zgjodhi të mos jetojë në izolim, por të pranojë turistë nga e gjithë bota.

Suprizë e këtij fundviti ka qenë dhe kërkesa për plazhet e Sharm El Sheikh. Ky destinacion preferohet për resortet që ofrojnë paketa të larmimshme, por edhe sepse në fundvit turistët shpëtojnë nga temperaturat mbytëse dhe turmat e turistëve. Sharm El Sheikh konsiderohet destinacioni ideal për ata që pëlqejnë sportet në ujë apo shëtitjet në shkretetërirë.

Më ekonomik në çmim, por në krye të preferencave është edhe Stambolli, një ndër destinacionet më të kërkuara nga shqiptarët në vite. Edhe pse Turqia nuk i ka traditë festën e Krishtlindjeve dhe Natës së Ndërrimit të Viteve, si një destinacion i prekshëm në kohë pandemie, arratisja në Stamboll është zgjedhja e shumë personave, kryesisht çifte apo grupe të rinjsh.

Vendet e Rajonit vijojnë të mbesin destinacionet e preferuara të shqiptarëve, për shkak të çmimit më të leverdishëm dhe afërsisë. Me avantazhe të tilla dhe me organizime të mira për festa, Mali i Zi me qytete si Budva, Kotorri apo resortet e skive në Kolashin, ka marrë një pjëse të mirë të tregut shqiptarë për pushimet e fundvitit. Por pas nuk mbetet as Maqedonia me Mavrovën apo Kosova me Bogën dhe Brezovicën.

Dëshira e shqiptarëve për të udhëtuar këtë dhjetor është e madhe, por sa e mundur do të jetë kjo me rrezikun për mbylljen e kufijve dhe daljen e variantit afrikan të koronavirusit Omicron?

Exit mobile version