Për herë të parë në 11 vite, që nga eliminimi në grupe në Botërorin e Afrikës së Jugut, Franca dështon të prekë 8 më të mirat e një turneu madhor. Realiteti është i pabesueshëm për faktin se në fillim të turneut, por edhe gjatë tij, “Gjelat” ishin favoritët kryesorë për të shkuar në finale dhe për të triumfuar, me kualitetet në përbërje.
“Të gjithë do të mësojmë nga kjo disfatë”. Me këto fjalë u shfaq pas eliminimit, trajneri i Francës Dider Deschamp, stoli i të cilit tashmë lëkundet më shumë se kurrë.
Dështimi në këtë Europian mund t’i faturohet pikërisht trajnerit 52-vjeçar i cili ka vendosur në rrezik të gjithë kreditin e fituar me triumfin në Botërorin e Rusisë. Unë jam i qetë. Ky është futbolli. Kur fiton është meritë e futbollistëve dhe kur humb është faji i trajnerit.
“I pranoj përgjegjësitë, por e di se do të kemi të hëna më të lumtura”, tha numri një i pankinës së Francës, nën hijen e të cilit prej kohësh qëndron një tjetër emër i madh si ai Zinedine Zidane.
Ish-trajneri i Realit të Madridit, 3 herë fitues i Champions League ka shprehur prej kohësh dëshirën për të drejtuar kombëtaren dhe dëshira e tij mund të plotësohet së shpejti. Teksa edhe kontrata e Deschamp përfundon me fundin e Botërorit Katar 2022, emri i Zizu është më i lakuari për stolin e gjelave dhe një ndryshim i tillë mund të vijë më shpejt nga sa ishte menduar.