UBT News

​“Deri sa t’i përfundojnë skuadrat tjera stadiumin e parë, Llapi do të ketë stadiumin e dytë”, Batatina zbulon detaje për stadiumin e ri në Llap

Llapi pritet të bëhet me stadium të ri, i cili do të jetë me kritere evropiane. Kështu ka thënë trajneri i skuadrës llapjane, Tahir Batatina.

Batatina e zbuloi në detaje “projektin gjigant” për ta ndërtuar një stadium të ri në Llap, pasi qëllimi i tij është që Kombëtarja e Kosovës të luajë ndeshjet edhe në Llap dhe jo vetëm në Prishtinë. Trajneri i Llapit tha se është në pritje që Kuvendi Komunal në Podujevë të ndajë parcelën për ndërtimin e “stadiumit gjigant”, i cili pritet të ketë 12 mijë ulëse.

Sa i përket stadiumit gjigant që do ta ketë Llapi, mendoj që në momentin që Kuvendi Komunal më mbështet, jemi në bisedime për ta ndarë një parcelë me skuadrën e Llapit, do të thotë jam duke u përgatitur që ta bëjë një projekt shumë gjigant, një projekt i cili do të thotë një stadium me kriteret evropiane ku do të mund të luajnë të gjitha ndeshjet edhe të kombëtares sonë. Qëllimi im është që Llapi duhet ta ketë një stadium që do të luajë edhe kombëtarja në Llap, jo vetëm në Prishtinë, një stadium me 12 mijë ulëse për të cilin shumë shpejtë presim që të ndahet parcela dhe unë kam biseduar me njerëz nga Ministria, nga Federata edhe nga Kuvendi Komunal që më ka mbështetur këtë projekt. Besoj që projektin do ta ndajmë bashkërisht, investime edhe nga UEFA e FIFA, në të cilat kam njerëz që kam biseduar dhe më kanë kërkuar që në momentin që ndahet parcela dhe dorëzohet projekti, do të mundohen të ndajnë pjesën e mjeteve financiare”, tha Batatina.

Po ashtu, Batatina bëri të ditur se stadiumi aktual “Zahir Pajaziti” në të ardhmen do t’i shërbejë akademisë së klubit, ndërsa thumboi skuadrat rivale duke thënë “deri sa t’i përfundojnë skuadrat tjera stadiumin e parë, Llapi do të ketë stadiumin e dytë”.

Një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejtë, besoj që nëse më përkrah Komuna me parcelën dhe të na e ndajë zyrtarisht, ndoshta deri sa t’i përfundojnë skuadrat tjera stadiumin e parë, Llapi do të ketë stadiumin e dytë, një stadium gjigant për arsye që në këtë drejtim do të fillojnë edhe punimet, edhe mirëpres do të thotë që Llapi ta ketë stadiumin gjigant me 12 mijë ulëse, e meriton. Ky stadium i cili është këtu (Zahir Pajaziti) do të na shërbejë në momente të caktuara për akademinë e futbollit, sepse Llapi tashmë do të jetë një lokomotivë e dytë e Kosovës”, tha Batatina.

Drejtuesit e Llapit dhe Kuvendi Komunal në Podujevë janë në bisedime për parcelën e cila do t’i ndahet klubit për stadiumin e ri, lokacioni i të cilit sipas Batatinës do të jetë në fshatin Surkish. /UBTnews/

Exit mobile version