Në një deklaratë të përbashkët në fund të një samiti tre-ditor, udhëheqësit e vendeve të G7 i kërkuan Kinës “të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.
Çështjet e theksuara përfshinin abuzimet kundër grupit të pakicës myslimane Ujgur dhe goditjen e aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong.
Ambasada e Kinës në Mbretërinë e Bashkuar akuzoi G7 për “akuza të pabaza”.
“Ndaloni shpifjet ndaj Kinës, ndaloni ndërhyrjet në punët e brendshme të Kinës dhe ndaloni dëmtimin e interesave të Kinës,” tha një zëdhënës të hënën.
Deklarata nga G7 – shtatë të ashtuquajturat ekonomitë më të përparuara në botë – përfshiu premtime për një numër çështjesh, të tilla si përfundimi i pandemisë së koronavirusit dhe hapat për të trajtuar ndryshimin e klimës, si dhe referencat për Kinën.
Grupi, i përbërë nga Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe ShBA-së, i bëri thirrje Kinës të respektojë të drejtat e njeriut në Xinjiang, një rajon veri-perëndimor që është shtëpia e ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane.
Ekspertët përgjithësisht pajtohen se Kina ka arrestuar deri në një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë dhe ka burgosur qindra mijëra të tjerë gjatë procesit të shtypjes së saj në Xinjiang, që cili filloi në vitin 2017. Ka pasur raporte të torturave fizike dhe psikologjike brenda burgjeve dhe kampeve të paraburgimit në Rajon. Megjithatë, Kina ende i mohon akuzat.
Deklarata e G7 bëri thirrje gjithashtu që të respektohen të drejtat dhe liritë në Hong Kong, ku një ligj i ri i sigurisë i miratuar nga Kina vitin e kaluar e ka bërë më të lehtë dënimin e protestuesve. Udhëheqësit thanë se Hong Kongu duhet të ruajë një “shkallë të lartë të autonomisë”, siç përcaktohet në marrëveshje kur iu kthye Kinës në 1997.
Deklarata nënvizon “rëndësinë e paqes dhe stabilitetit” përtej ngushticës së Tajvanit – një rrugë ujore e policuar rëndë që ndan Kinën dhe Tajvanin. Kina e sheh Tajvanin demokratik si një provincë të shkëputur, por Tajvani e sheh veten si një shtet sovran.
Deklarata gjithashtu kërkon një hetim të ri në Kinë për origjinën e Covid-19.
Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ishte “i kënaqur” me gjuhën e deklaratës për Kinën.
Por ambasada kineze në Mbretërinë e Bashkuar kundërshtoi përmendjen e Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvanit, për të cilat tha se shtrembërojnë faktet dhe ekspozuan “qëllimet e mbrapshta të disa vendeve të tilla si Shtetet e Bashkuara”.
Një mesazh më i fortë për Kinën pritet të lëshohet nga udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s në një takim të hënën.
“Ne e dimë që Kina nuk ndan vlerat tona … ne duhet të përgjigjemi së bashku si një aleancë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ndërsa mbërriti në samitin një ditor në Bruksel.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha se vendi do të paraqitej në komunikatën e NATO-s “në një mënyrë më të fuqishme sesa kemi parë ndonjëherë më parë”.
(Përktheu dhe përshtati UBTNews)